E Shtunë, 31 Tetor 2026

Objektivi i parë i Ramës, të nxjerrë Greqinë nga kriza

01-07-2013 / Gazeta 55

Edvini është përkujdesur që mesazhin e parë qeverisës ta nisë për kujdestarët e tij në Greqi. Pasi ishte shprehur se e ka problem vdekjen dhe historinë, tani del se si shqetësim qeverisës ka veç nxjerrjen e Greqisë nga kriza, dhe për këtë objektiv, ai s’do kursejë as parakushtet e Athinës e as kufijtë detarë të shtetit tonë. Edi Rama nuk ka thënë një fjalë për çështjen çame dhe as është interesuar ta ngrejë atë në bisedime, por duket se do hapë vend në listën e deputetëve të Vlorës edhe për Bollanon, një tjetër deputet me qëndrime antishqiptare

Gazeta “Kathimerini”, nga më të mëdhatë greke, ka nxituar të intervistojë Edi Ramën, kryeministrin e ardhshëm të vendit, për t’i marrë atij garanci publike në lidhje me “shkrirjen e akujve” për çështjen e kufijve detarë dhe hyrjen në një katër vjeçari mjalti. Gazetari grek i Kathimerini  gjatë gjithë intervistës përkujdeset të përdorë elementin e ftohtësisë, si, “Siberi, frigorifer, acar, akuj, etj” për të dhënë idenë e një ftohtësie marrëdhëniesh. Por Edi Rama nuk e ngroh ambientin gjatë kësaj interviste.  Ai nuk thotë një fjalë për Çështjen Çame, edhe pse e ka në programin e Rilindjes dhe në koalicion ka një parti që interesohet për këtë çështje. Edi Rama e ka anashkaluar plotësisht këtë çështje, me një heshtje, me një lehtësi të pabesueshme, duke sinjalizuar se kjo çështje sa të jetë ai në qeveri s’ka shans të ndizet dhe të marrë përmasat e një çështje që duhet diskutuar përpara çdo gjëje tjetër.
Ndërsa i pyetur rreth “deklaratave nacionaliste të kryeministrit Berisha që i çuan marrëdhëniet mes dy vendeve në një temperaturë siberiane”, Edi Rama përgjigjet se do të përmirësojë këtë klimë, “acari” në marrëdhëniet tona, mori fund dhe “vera” do vijë përsëri shumë shpejt në marrëdhëniet shqiptaro-greke”, ka siguruar kreu i Partinë Socialiste. Padyshim “acari” përfundoi ditën që Edi Rama futi në koalicion Vangjel Dulen, dhe së fundmi nëse Dule bëhet ministër në parlament hyn Vasil Bollano.  Vasil Bollano ish-kreu i bashkisë së Himarës dhe aktualisht kryetari i shoqatës OMONIA pritet të jetë deputet i Kuvendit të Shqipërisë sepse formatimi i kabinetit qeveritar të kryeministrit të ri Edi Rama dhe përfshirja në qeveri e kreut të PBDNJ Vangjel Dule, do të krijojnë kushtet që Bollano të hyjë në Kuvend si deputet i kësaj partie. Një hapësirë e tillë për Bollanon në Kuvend krijohet për shkak se marrëveshja bashkëqeverisëse përfshin dhe ndarjen e mandatit të deputetit me atë të ministrit dhe për këtë shkak Dule, do të lërë mandatin e deputetit, duke hapur vendin për Bollanon, i cili në listën shumemërore rajonale të qarkut të Vlorës gjendet i dyti pas kreut të PBDNJ.
Përtej kësaj,  atë se çfarë shpreson nga pala greke në rrugën e Shqipërisë drejt BE-së, Edi Rama është shprehur për gazetën “Kathimerini”, se “koha që jetojmë na nxit të gjithëve në rajon të rinovojmë mënyrën sesi në shohim Europën dhe atë sesi Europa na sheh ne. Në këtë kontekst Greqia ka një rol për të luajtur”. Shihet qartë se Edi Rama është përkujdesur që mesazhin e parë qeverisës ta nisë për kujdestarët e tij në Greqi. Pasi ishte shprehur se e ka problem vdekjen dhe historinë, tani del se si shqetësim qeverisës ka veç nxjerrjen e Greqisë nga kriza, dhe për këtë objektiv, ai s’do kursejë as parakushtet e Athinës e as kufijtë detarë të shtetit tonë.
Gjithashtu duhet thënë se Edi Rama është pritur sa herë triumfalisht në Athinë. Ka një arsye që qarqet greke presin plot ovacione kryeministrin e ardhshëm Edi Rama, si asnjëherë më herë më parë. Kjo ka lidhje drejtpërdrejt edhe me fatin e financave greke, pasi këto ditë FMN-ja i ka sugjeruar qeverisë greke që të shkarkojë 14 mijë punonjës në sektorin publik, në mënyrë që t’i japë Greqisë kredinë për të shpëtuar rrënimin e mëtejshëm të ekonomisë së saj. Sigurisht, në shumën e radhës që do t’i jepet për frymëmarrje financave greke do të jenë edhe pjesë e parave që kanë qenë të parashikuara për vendet e rajonit tonë që aspironin të  integroheshin në BE. Shqipëria ishte një nga këto vende që do të merrte këto fonde pas marrjes së statusit të vendit kandidat, që u ndoq me bllokimin pengmarrës  të tre ligjeve dhe me siguri këto fonde do të hapen në pranverën e vitit të ardhshëm. Pra, Edi Rama në mënyrë jo të drejtpërdrejtë ka bërë lojën për të ndihmuar Greqinë. Dhe me fjalë të tjera, mos marrja e statusin të vendit kandidat në mars-prill të 2013, në hartimin e strategjisë së re financiare të Bashkimit Europian, Shqipëria përfitoi më pak se vendet që  kanë statusin kandidat. Paratë që do t’i jepeshin Shqipërisë për reforma dhe projekte zhvillimore, me shumë mundësi shkuan për të mbyllur gropat financiare të vendeve fqinje, si Greqia apo Serbia, që janë në krizë të thellë ekonomike. Dhe kjo është dhe arsyeja që rrugët e Athinës ishin mbushur pak muaj më parë me postera të buzëqeshura të Ramës.
Sidoqoftë Edi Rama, një gjë është e sigurt: kryeministri i ardhshëm i vendit Edi Rama ka pasur gjithmonë marrëdhënie speciale me Greqinë. Ai e ka vizituar këtë shtet fqinj edhe përpara se të rrëzohej regjimi komunist, madje gjatë rrëzimit të bustit të Enverit, Edi Rama ishte në Selanik të Greqisë në një ekskursion të çuditshëm për kohën. Me pak fjalë Edi Ramës do ti duhet shumë punë të heqë hijen e dyshimin që rëndon mbi të në lidhje me raportet me Greqinë.

 

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›