E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kusari-Lila: Qeveri “Thaçi 2”, e pastër “si loti”

Zëvendëskryeministrja Mimoza Kusari-Lila, njëherësh nënkryetare e AKR-së, thotë se kushti i tyre për “qeveri me duar të pastra” është përmbushur, ndërsa qeveria e re është e pastër “si loti”.
 

Sipas saj, kushti i AKR-së për PDK-në, që koalicioni qeverisës mund të bëhet vetëm nëse qeveria e re përbëhet nga persona me duar të pastra, ka pasur sukses.
 

Kusari-Lila ka thënë se në qeverinë “Thaçi 2” nuk “frekuentojnë” ministra të korruptuar ose që kanë keqpërdorur paranë publike.
Gjatë një interviste për gazetën “Zëri”, ajo është shprehur e bindur se AKR-ja dhe “Koalicioni për Kosovë të Re”, nuk do të dalë jashtë kornizave të programit të saj për t`i shërbyer partisë së kryeministrit, Hashim Thaçi.
 

Ajo beson se partnerët e koalicionit mund të kenë qasje të ndryshme për ndonjë çështje të caktuar, por, sipas saj, kjo do të ishte normale, kurdo që ndodh.
 

E pyetur se pse njëri nga figurat kyçe të Koalicionit për Kosovë të Re, Muhamet Mustafa, nuk ka pranuar të jetë zëvendëskryeministër i Thaçit dhe nëse ka përçarje të këtij koalicioni, Kusari-Lila ka thënë se koalicioni vazhdon të jetë i fortë, ashtu siç ka qenë.
Sipas saj, kryetari i ri i AKR-së do të zgjidhet sipas afateve kohore të prezantuara në statusin e partisë.
 

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›