Kusari-Lila: Reciprociteti me Serbinë, rivendoset të hënën

Zv/kryeministrja e Kosovës, Mimoza Kusari-Lila ka reaguar në lidhje me veprimet e fundit në Veri të Kosovës duke theksuar se zmbrapsja për të aplikuar reciprocitetin tregtar, do të jetë deri të hënën. Ajo informon, se do të rivendosen bllokada për mallrat, në rast se Serbia vazhdon embargon tregtare.
Masa e reciprocitetit ndaj fqinjit verior është vendosur në fund të korrikut dhe është ndërprerë të premten. Gjatë kësaj kohe dy nga tri pikëkalimet kufitare me Serbinë kishin statusin e zonave ushtarake, e për pasojë në to nuk kishte prezencë të doganierëve, të policëve kufitarë dhe nuk lejohej as transporti tregtar.
Media kosovare informon se në pikëkalimin kufitar 5 që ndodhet në Merdar, nga Serbia janë lejuar të hyjnë në Kosovë 5 kamionë me drithëra, kryesisht grurë dhe sojë dhe se nuk ka pasur eksport në këtë pikëkalim, sikur që nuk ka pasur as në dy pikat e tjera kufitare me Serbinë, 1 në Jarinjë dhe 31 në Bërnjak.