Kush e ka detyruar të heshtë këtë kalorës të "antikorrupsionit"?
"Jam detyruar të mbaj një heshtje që mezi e kam mbajtur", - tha Kryeministri, duke shtuar se nuk do të heshtë më. Politikani Berisha është një habi e vërtetë. Z.Stefani ka të drejtë kur pyet: Po kush e ka detyruar këtë kalorës të "antikorrupsionit", njeriun më të fuqishëm të shtetit, që të vuajë në heshtje?
Na duket se asgjë më shumë sesa korrupsioni i tij, i familjes dhe i qeverisjes së tij që mesa duket, është shndërruar edhe ajo në një "familje". Kalorësi i "antikorrupsionit" ka heshtur për korrupsionin e kundërshtarëve që të mund të shantazhojë kundërshtarët në mënyrë që këta të fundit, të mos denoncojnë korrupsionin e tij.
Provohet edhe një herë se Berisha nis e përmend korrupsionin e opozitës sa herë që rrezikohet nga ndonjë skandal si i Gërdecit apo si ky i fundit i pastrimit të parave me mikun e tij, atë që mediat nëpër botë e përmendin si mafiozi Fazlliç.
Shihet qartë se Berisha kërcënon me "antikorrupsion" për të bllokuar luftën reale kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Pas deklarimeve të bëra dy ditë më parë në Kuvend, Berisha duhet të përgjigjet minimalisht për fshehje të fakteve kriminale para drejtësisë, gjë që është thuajse të jesh bashkëpunëtor me krimin.