Bllokohet kamioni me hekur 900 herë më radioaktiv se norma
Një kamion i ngarkuar me hekur me radioaktivitet 900 herë mbi normën e lejuar ishte nisur paraditen e djeshme në drejtim të Shqipërisë. Pasi të kalonte nga Maqedonia, hekuri radioaktiv dyshohet se kishte për destinacion përfundimtar Elbasanin, e më saktësisht Uzinën e Shkrirjes së Çeliqeve në Elbasan. Fatmirësisht, sasia e madhe e hekurit radioaktiv u ndalua sërish në pikën e kalimit kufitar të Bllacës. Lajmi është bërë i ditur nga burime informacioni të mediave maqedonase. Sipas këtyre burimeve, nga ana e autoriteteve kufitare maqedonase u pengua hyrja në territorin e shtetit të tyre dhe më pas edhe udhëtimi drejt Elbasanit të një kamioni që po mbërrinte nga Kosova dhe që kishte një ngarkesë radioaktive. Punonjësit e vendkalimit kufitar Bllacës kanë kthyer menjëherë pas kamionin e ngarkuar me hekur, kur kanë parë se aparatura e matjes së radioaktivitetit “u çmend” dhe shënonte një shifër që është rreh 900 herë mbi normën e lejuar të radioaktivitetit në metale. Siç lajmëroi Drejtoria Doganore e Maqedonisë, mëngjesin e djeshëm në Bllacë është regjistruar një kamion nga Kosova, i ngarkuar me material që ka përmbajtur radium me rrezatim 9000 herë më të madh sesa ai i lejuar. Sipas Drejtorisë Doganore, bëhet fjalë deri tani, për nivelin më të lartë të regjistruar të rrezatimit radioaktiv gjatë dy viteve të shkuara. Kamioni i ngarkuar me hedhurina të vjetra hekuri është ngarkuar në Prishtinë, ndërsa destinacioni përfundimtar ka qenë Uzina e Shkrirjes së Çeliqeve në Elbasan. Pas alarmit të dhënë nga autoritetet doganore, automjeti është kthyer në Kosovë. Ky është rasti i dytë brenda më pak se dy javësh, që në pikën doganore të Bllacës bllokohen kamionë të ngarkuar me hekur me ngarkesë të lartë radioaktiviteti. Edhe në datën 18 qershor, sipas autoriteteve doganore, kamioni kishte destinacion një kompani importuese në Elbasan, emri i së cilës nuk u bë i ditur. Kamioni që vinte nga Kosova kishte hekur të vjetër, prej ku niveli i rrezatimit ishte 300 herë më i lartë se norma e përcaktuar në standardet ndërkombëtare. Panelet detektive të instaluara në doganë, konstatuan se niveli ishte i rrezikshëm përreth kamionit. Madje, autoritetet doganore patën ndaluar afrimin e çdo personi pranë kamionit me hekur radioaktiv.
Si u bllokuan tre kamionë me helme
SHKUP – Në fillim të muajit qershor, dhjetë policë të Maqedonisë shfaqën simptoma helmimi nga gazrat kimikë dhe radioaktivë të tre kamionëve që u bllokuan në vendkalimin kufitar Bllacë në kufirin me Kosovën. Qeveria e Maqedonisë më datë 3 qershor, në një mbledhje urgjente bllokoi hyrjen e këtyre kamionëve bullgarë në territorin e vendit, për shkak se, siç thuhej, ata përmbanin një lëndë të rrezikshme radioaktive dhe kimike dhe paraqisnin rrezik për ambientin dhe jetën e qytetarëve. Identifikimi i këtyre kamionëve me targa të Bullgarisë është bërë nga Shërbimi Policor i Kosovës, ndërsa ata kishin hyrë në Kosovë më 22 maj nëpërmjet pikës kufitare të Hanit të Elezit, me mallin e ngarkuar, të cilësuar si vaj hidraulik.