Kush është kundër koalicionit s’mund të jetë në LDD

Kryetari i LDD-së, Nexhat Daci, ua ka bërë të qartë të hënën të gjithë anëtarëve të kryesisë së partisë, kryetarëve të degëve, se kanë për obligim ta respektojnë koalicionin me AAK-në. Daci ka thënë se ata të cilët deklarohen kundër këtij koalicioni nuk mund ta llogarisin veten pjesë të LDD-së. Ky deklarim i Dacit ka ardhur si përgjigje në kërkesën e kryetarit të Degës së Klinës, Zenun Zeça, i cili ka thënë se ky koalicion duhet të vlejë vetëm për nivelin qendror, por jo edhe për atë lokal.
“Vendimi i Kryesisë për koalicion është kundërshtuar vetëm prej tre anëtarëve të kryesisë. Me statut secili nivel i ka kompetencat e veta. Dega ka kompetenca manovrimi në propozimet e veta për individ. Kush del jashtë kësaj nuk është më në LDD. Alternativë që ndonjë degë të dalë kundër procesit të nënshkruar dhe të mbesë në LDD nuk ka. Asnjë njeri, qoftë ai edhe kryetar i saj, nuk do të konsiderohet pjesë e LDD-së nëse nuk e respekton marrëveshjen e nënshkruar që është plotësisht statutare”, ka thënë Daci./Indeksonline/