Klif: Privatizimi i PTK-së, transparent

Ambasadori britanik në Kosovë, Jan Klif, në një intervistë për gazetën “Kosova Sot”, ndër të tjera ka folur edhe për privatizimin e PTK-së, ku thotë se procesi ka qenë transparent.
“Është fakt që fituesi “Axos” është partner me telekomin britanik, për këtë nuk ka asnjë dyshim. “Axos” është pjesa teknike e konsorciumit. Telekomi në Britani ka qenë telekomi i parë i privatizuar në vitet 1980”, ka thënë ambasadori Klif.
Ai është në dieni që ka kundërshtime të mëdha ndaj privatizimit të PTK–së, por thotë se kjo gjë ka ndodhur edhe kur është privatizuar telekomi britanik.
“Shumica e kompanive të telekomit në Evropë janë të privatizuara dhe do të ishte prapambetje për Kosovën sikur të vijonte me një telekom shtetëror. Njerëzit nuk duhet të kenë dyshime në lidhje me procesin e privatizimit”, ka deklaruar ambasadori britanik.
Ai ndër të tjera ka thënë se, në të kaluarën në Kosovë ka pasur shumë abuzime me privatizimet dhe, këto procese të dështuara përshtaten me imazhin e dëmtuar të Qeverisë për korrupsion, por mendon se procesi i fundit ka qenë një proces transparent./Indeksonline/