E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kush është njeriu me shenjë

Një dëshmitar tha në prokurori se personi misterioz, që ka marrë pjesë në takimin ku u rrit çmimi i fishekëve ka një tatuazh në kurrizin e dorës së majtë

TIRANË- Personi misterioz, pjesëmarrës në takimin ku u ideuar mashtrimi i Pentagonit me çmimin e fishekëve, ka një shenjë dalluese në dorën e majtë, e cila mund të jetë lehtësisht e verifikueshme. Kjo është dëshmia surprizë që ka mbërritur në organin e akuzës nga njëri prej protagonistëve të tregtisë së municioneve nga ndërmarrja “Meico” te kompania amerikane “AEY”. Dëshmitari, identiteti i të cilit nuk bëhet publik nga gazeta për arsye etike, ka deklaruar para hetuesve të çështjes, se ka informacione rreth personit misterioz, por nuk di emrin e vërtetë të tij. Bëhet fjalë për një tatuazh që personi ka në kurrizin e dorës së majtë, shenjë kjo që mund ta bëjë atë lehtësisht të identifikueshëm. Por nga ana tjetër, nuk përjashtohet mundësia, që kjo dëshmi të jetë dhënë për të ngatërruar më shumë punët dhe ndoshta për t’iu larguar më shumë personit të vërtet që ka marrë pjesë në takim. Burime pranë Prokurorisë së Përgjithshme thanë se dëshmia surprizë është dhënë pak kohë më parë nga një prej personave që ka djeni për takimin mes Delijorgjit, Pinarit, Diverolit, përfaqësuesit të AEY-së në Shqipëri dhe personit ende të pa identifikuar, i cili është rreth moshës 27-30 vjeç. Por kjo e dhënë, sipas hetuesve është marrë me rezerva nga grupi hetimor, pasi nuk përjashtohet mundësia që të jetë një tymnajë për të shpërqendruar vëmendjen dhe zgjeruar rrethin e hetimeve. Nga ana tjetër ekziston mundësia, që personi i pranishëm në takimin ku u diskutua për rritjen e çmimit të fishekëve, me anën e teknikave speciale mund të ketë realizuar heqjen e tatuazhit duke mos qenë kështu në listën e të dyshuarve. Të gjitha këto dyshime bëjnë që grupi hetimor, të marrë së më shpejtë në pyetje të dyshuarit, të cilëve fillimisht do t’u shihet dora e majtë nëse kanë apo jo tatuazhin, për të cilin dëshmitari nuk ka shpjeguar se çfarë përmbante. I vërtet ose jo, ky detaj po verifikohet nga grupi hetimor, i cili ende nuk ka arritur të gjejë “njeriun me shenjë”, hap ky i cili do të zbardhte dhe një nga misteret më të mëdha që ka mbuluar aferën e shitjes së fishekëve të vjetër kinez. Nga na tjetër, identifikimi dhe gjetja e personit me tatuazh do të sqaronte pozicionin e disa personave të përfolur si pjesëtarë në takimin mafioz, ku administratorit të kompanisë “AEY” iu kërkua të blinte municione me çmim më të lartë se ai fillestar. Sipas dëshmisë së biznesmenit Kosta Trebicka, të bërë publike në media të ndryshme, Pinari dhe Delijorgji, i kërkuan Diverolit që 1000 fishekë t’i blinte për 40 dollarë nga 22 që ishte kontrata fillestare, veprim i cili do të kryhej nga firma qipriote “AEY” me administrator zviceranin Henri Tomei. Veç katër personave tashmë të identifikuar, në takim merrte pjesë dhe një person rreth 27-30 vjeç, të cilit Delijorgji dhe Pinari i merrnin mendim për çdo propozim që i bënin Diverolit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›