Kush financoi fushatën në “Air Albania? Meta s’përgjigjet, sulmon Bashën e Veliajn: G99-shat janë shushunjat e vërteta

Ilir Meta i është shmangur pyetjeve të gazetarëve lidhur me financimin e fushës dhe mungesës së emrit të kryetarit të koalicionit “Bashkë Fitojmë” në fletën e votimit.
Në vend të përgjigjes, Meta sulmoi Lulzim Bashën dhe Erion Veliajn, ku njërin e konsideroi “palaço” dhe tjetrin “shushunjë të administratës shtetërore”.
Lidhur me financimin e fushatës në “Air Albania”, Meta kërkoi që pyetjen t’ia çonin me shkrim, ndërsa e cilësoi këtë pjesë si “konfuzion që kërkon të krijojë Rama dhe ‘ramarucët’ e tij”, pasi janë të frikuar nga “super kandidatët e koalicionit “Bashkë Fitojmë”.
“Këto janë pyetje që ju i ngrini me të drejtë. Mund t’i bëni pyetjet me shkrim dhe personat përkatës mund t’ju kthejnë përgjigje. Por ka shumë të drejtë Rama dhe ‘ramarucët’ e tij kudo ku ndodhen që janë të tmerruar nga manifestimi në stadiumin kombëtar, siç janë nga manifestimi në Durrës, Elbasan apo edhe dje në Gramsh. Do të jenë të detyruar që të shmangin vëmendjen nga vjedhja që Rama ka bërë në të gjitha këto bashki. Ta sjellë në mistrecllëqe të tilla. Megjithatë ju bëni pyetjet dhe do t’i merrni përgjigjet.
Çdo ditë që kalon ankthi i atij që do të mbillte pemë pasi mbolli beton dhe shkatërrim në Tiranë për 20 vite, në Durrës për 20 vite, duke vënë dorë edhe mbi pasuritë arkeologjike dhe hapësirat publike. Tani erdhi ora e llogaridhënies. Nuk ka konkurrentë përballë konkurrentëve tanë tani kërkon të mbjellë konfuzion. Emëroi kukulla 4 vite më parë për të grabitur taksat e qytetarëve dhe hapësirat publike dhe tashëm do të krijojë konfuzion me billbordet e shtrenjtat, ky që do të kursente dhe mbillte pemë. Ata nuk dalin tonë përpara superkandidatëve tonë dhe përpiqet të krijojë konfuzion dhe t’i largohet llogaridhënies”, tha Meta.
I pyetur se nuk vendosi emrin në fletët e votimit krah koalicionit, pasi nuk kishte përkrahjen e demokratëve, Meta tha se ata e kanë të qartë se “kush ishte ai palaço që shiti pushtetin lokal dhe dogji mandatet e deputetëve në interes të Ramës”.
“Demokratët e dinë shumë mirë se nuk do ishte e lehtë për ta të fitonin në 2005 nëse Ilir Meta nuk do të krijonte LSI dhe e dinë efektin që pati krijimi i LSI dhe rotacionin historik që ndodhi dhe ishte e nevojshme. Ishte ai rotacion që në 2006 Berisha të firmoste marrëveshjen e stabilizim asocimit që e kishte bllokuar paraardhësi i tij. Nuk e ka lënë Ilir Meta PD dhe opozitën pa asnjë këshilltarë, nuk i ka falur Ilir Meta pushtetin lokal Edi Ramës dhe as mandatet e deputetëve që bëri siç i deshi qejfi.
Ilir Meta qëndroi i vetëm përballë Ramës si president me bindjen se po i shërben Kushtetutës. Demokratët e dinë shumë mirë kush ishte ai palaço që nuk firmosi në shtyrjen e zgjedhjeve pasi i shërbente Edi Ramës. Janë G99-tat shushunjat e vërteta të administratës shtetërore dhe drejtojnë bashkitë kryesore të vendit dhe do të ndëshkohen më 14 maj. Nuk përbën asnjë interes për ne se çfarë vendos KQZ apo të tjerët”, tha Meta.
/rtsh.al/