Kushte për LDK’në
Lista “Dr. Ibrahim Rugova” ka vendosur t`i vërë kushte Isa Mustafës, nëse dëshiron që ai t’i shohë sërish në LDK Ukë Rugovën, Bujar Bukoshin e të tjerë nga Lista.
Sipas Astrit Haraqisë, jo vetëm Lista, por edhe LDD është duke e pritur LDK’në që të reflektojë dhe t’i thërrasë ish-anëtarët për t’u kthyer në partinë e vjetër.
Por, ish-njerëzit e LDK’së kanë disa kushte për udhëheqjen e tashme të LDK’së.
“Kushtet e Listës janë: të mbahen zgjedhjet e partisë, të ndërrohet statuti brenda vitit 2011, të mbahen zgjedhjet partiake, të ftohet LDD për biseda”, ka thënë Haraqija për Express.
Gjithnjë sipas ish-anëtarit të Kryesisë së LDK’së, Lista do të regjistrohet si parti, nëse nuk lëviz asgjë nga LDK’ja.
“Nëse LDK nuk merr hapa konkretë, ne regjistrohemi si subjekt politik pas datës një shkurt”, ka paralajmëruar Haraqija.
Mirëpo, këto kushte duket se nuk do të pranohen nga partia e Isa Mustafës.
Nënkryetari i LDK’së, Haki Rugova, u përgjigjet paralajmërimeve të ish-rugovistëve.
“Me kushte askush nuk mund të rikthehet në LDK”, sqaron Rugova.
“Ne i kemi përfunduar zgjedhjet që janë cilësuar më demokratiket. Nuk mundet askush të pretendojë se mund të kthehet në LDK duke vendosur kushte”, ka theksuar ai.
Sipas Rugovës, qëndrimi i kryetarit të LDK’së është i qartë - partia është e hapur për krejt njerëzit që të rikthehen në “shtëpinë e vjetër”.
“Për çdo ditë po ndodh kthimi i njerëzve të LDK’së”, ka thënë Rugova për Express.
Sipas tij, Lista mund të regjistrohet si parti politike dhe të vazhdojë rrugën që e ka nisur në vitin 2010.
Edhe para zgjedhjeve të vjetshme, zyrtarët e Listës... patën paralajmëruar se do të regjistrohen si parti politike, por në fund vendosën të shkrihen përkohësisht në AAK.
Tash, duket se Lista do t’i ndajë rrugët edhe me partinë e Ramush Haradinajt.
AAK ende nuk kanë marrë zyrtarisht qëndrimin e Ukë Rugovës.
“Ne nuk kemi ndonjë informatë të tillë, por edhe liderishipi i partisë nuk ka pasur ndonjë komunikim apo indikacion që Ukë Rugova do të largohet, pasi që ai është, me sa dimë ne, i vetmi deputet i Listës”, ka thënë Besnik Tahiri, anëtar i Kryesisë së AAK’së.
Nëse Ukë Rugova largohet nga AAK, rrjedhimisht prishet edhe marrëveshja e nënshkruar.
Tahiri e kujton marrëveshjen e nënshkruar në Velani ndërmjet Blerim Shalës dhe Ukë Rugovës, kur edhe janë marrë vesh që deputetët e Listës të funksionojnë në grupin parlamentar të AAK’së.
“Ne kemi pasur një marrëveshje kur kemi hyrë në garën zgjedhore me zyrtarët e Listës. Marrëveshja ka qenë që ata të qëndrojnë në grupin parlamentar, megjithatë çdo deputet e ka votën e popullit dhe në këtë aspekt, realisht, secili është vetëm”, ka thënë Tahiri.
Sipas Astrit Haraqisë, Lista është duke bërë negociata edhe me LDD’në e Nexhat Dacit, për ta sqaruar pozicionin përballë LDK’së.
“Ne e kemi bërë hapin e parë dje në LDK, me sa di unë. Dje e kemi bërë hapin e parë edhe ne, edhe LDD’ja, me të cilën jemi në negociata”, ka thënë ai.
Haraqija ka treguar se me AAK’në nuk pajtohen as sa i përket idesë për themelimin e koalicionit të gjerë.
“Nuk pajtohemi për një koalicion PDK-LDK-AAK, sepse dikush duhet marrë përgjegjësi e jo sikur më 2001-2004, kur askush nuk ka marrë përgjegjësi. Dikush duhet me marrë përgjegjësi, qoftë për të mirë, qoftë për të keq”, ka deklaruar Haraqija.
Lista e udhëhequr nga djali i ish-Presidentit Rugova është themeluar në nëntor të vitit të kaluar, në kohën kur në LDK zhvillohej procesi i brendshëm zgjedhor.
Në atë kohë, Ukë Rugova e ndali në gjysmë rrugëtimin për t’u pozicionuar në LDK dhe vendosi të afrojë afër vetes disa zyrtarë të pakënaqur.
Pas zgjedhjes së Isa Mustafës në krye të LDK’së, Rugova nuk pranoi të kthehet në parti si i vetëm, por kërkoi inkuadrimin e njerëzve që i kishte afër. Kur këtë nuk e arriti, ai vendosi të hyjë në AAK.