Policia vëzhgon
Janë përforcuar shërbimet e Policisë së Komunikacionit Rrugor në të gjitha rrugët e Kosovës. Vendimi është marrë nisur nga rrethanat e ndryshimit të motit, si dhe vështirësitë që krijohen në qarkullimin e automjeteve si pasojë e mjegullës, shiut, erës dhe ngricave.
Nëpërmjet një komunikate të lëshuar për media, Policia e Kosovës ka bërë të ditur se siguria rrugore do të trajtohet gjithmonë me seriozitet. “Sepse pakujdesia gjatë operimit me mjet në komunikacionin rrugor merr çdo vit me dhjetëra jetë njerëzish dhe shkakton dëme materiale të konsiderueshme”, thuhet në këtë komunikatë.
Ndërkaq, rekomandohet edhe respektimi i shenjave të komunikacionit për përdorimin e zinxhirëve në këto segmente të rrugës për automjete. Me qëllim parandalimin e aksidenteve në komunikacionin rrugor, Policia e Kosovës porosit shoferët që të respektojnë dispozitat ligjore në komunikacion, pasi që këto norma janë vendosur për mbrojtjen e jetës së tyre dhe pjesëmarrësve tjerë në komunikacion.
Megjithatë, përveç kërkesës për kujdes në komunikacion, policia nuk ka ndonjë shifër të saktë për numrin e aksidenteve të shkaktuara si pasojë e reshjeve të borës.
Brahim Sadriu, zyrtar për informim i Policisë së Kosovës, thotë se policia ende nuk posedon ndonjë statistikë që përfshin komplet aksidentet që janë shkaktuar si pasojë e borës që ka rënë gjatë stinës së dimrit. Përveç kësaj, ai thotë se nuk ka asnjë shifër të saktë sa persona kanë humbur jetën pikërisht për shkak të aksidenteve gjatë sezonit dimëror, kur rrugët janë të ngrira.
“Kemi statistika vetëm për periudhën janar-shtator 2010. Sa i përket kësaj periudhe, mund të them se numri i aksidenteve ka rënë afër 7 për qind, në krahasim me po të njëjtën periudhë të vitit 2009”, sqaron Sadriu për Express.
Sidoqoftë, policia ua ka kujtuar edhe njëherë ngasësve të automjeteve se në Kosovë, për dallim nga disa vende evropiane, përdorimi i pajisjeve dimërore është i obligueshëm nga 15 nëntori deri më 15 mars. “Me pajisje dimërore nënkuptohen pneumatikët për përdorim dimëror (M+S) apo zinxhirë në rrotat tërheqëse”, thuhet në njoftimin e PK-së, e cila ka apeluar të gjithë shoferët që të mos dalin në rrugë pa pajisje dimërore, ndryshe do të gjobiten, si dhe që të jenë shumë të kujdesshëm.
“Kërkojmë nga drejtuesit e automjeteve që të përdorin zinxhirët gjatë lëvizjes në akset rrugore, ku bora dhe ngricat janë të pranishme, si dhe të mbajnë në çdo kohë zinxhirët në automjete dhe t’i përdorin dritat për ndriçimin rrugës dhe të mjegullës me rastin e zvogëlimit të dukshmërisë”, është bërë e ditur nëpërmjet kësaj komunikate.
Kjo, sipas policisë, është e obligueshme, sepse të gjitha akset rrugore do të jenë të mbuluara nga njësitë rajonale të komunikacionit, të cilat do të ushtrojnë kontrolle të vazhdueshme për pajisjen e automjeteve me zinxhirë. Megjithatë, nuk kanë nevojë të gjithë t’i përdorin këta zinxhirë. Shoferët janë të detyruar t’i përdorin këta zinxhirë vetëm në ato akse ku është i nevojshëm përdorimi i tyre.
E përveç kësaj, policia rrugore do të ndërmerr masa preventive edhe ndaj shoferëve, të cilët janë të obliguar për përdorimin e dritave për ndriçimin e rrugës, dhe dritat e mjegullës në rastet e zvogëlimit të dukshmërisë së rrugës.
Policia njofton të gjithë ngasësit e automjeteve se vështirësi më të mëdha në qarkullim pritet të ketë në akset rrugore Pejë-Kullë, Gjakovë-Qafë e Prushit, Doganaj-Brezovicë dhe Prishtinë-Mutivodë.
Në Prishtinë, rrugët të kalueshme
Pas reshjeve të fundit të borës, të gjitha rrugët brenda dhe jashtë qytetit janë të kalueshme për qarkullimin e automjeteve. Kompanitë për pastrim, të kontraktuara nga Komuna, gjatë natës kanë qenë të mobilizuara me të gjitha pajisjet adekuate për mirëmbajtjen dhe pastrimin e rrugëve nga bora. Po ashtu, në rrugët e qytetit është hedhur sasi e mjaftueshme e kripës dhe rërës, për t’i evituar ngricat në rrugë. Përveç brenda qytetit, kompanitë janë përkujdesur që edhe në fshatrat e Prishtinës rrugët të jenë të kalueshme.