E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kushte të larta sigurie për botërorët

Hapet sot për median koleksioni "Ca' La Ghironda".


Dy patrulla policie 24-orëshe në ambientin e jashtëm, të tjerë punonjës civilë policie për të kontrolluar vizitat e publikut, më shumë kamera vëzhguese dhe trefish më shumë punonjës.


Janë këto kushtet e sigurisë që Galeria Kombëtare e Arteve, në bashkëpunim me Ministrinë e Rendit dhe Policinë Private të Ruajtjes së Objektit kanë marrë për mbikëqyrje për dy 2 muaj të ekspozitës së parë me vepra të autorëve botërorë të shek. XVI, XVII dhe shek. XX. Ekspozita hapet sonte, në orën 18.00 vetëm për të ftuarit, kurse nesër hapet për publikun.


Një ditë përpara ekspozitës, drejtori i Galerisë, Rubens Shima shpjegon: "Instalimi i ekspozitave ka mbaruar. Janë duke u përfunduar detaje të vogla, që kanë të bëjnë me sinjalistikën, me etiketat e veprave, me vendosjen e titujve, banerave, gjithë kjo pjesa e "make-up-it" që është e domosdoshme". Shima pohon edhe se "të gjitha masat merren për efektin e kësaj ekspozite, për vlera të jashtëzakonshme historike, artistike dhe financiare që ka".


Ekspozita, e gjitha pjesë e koleksionit "Ca' La Ghironda" të koleksionistit italian Francesco Martanit, është instaluar në katin e dytë të Galerisë Kombëtare dhe është e ndarë në dy seksione. I pari, me titull "Shkëlqime klasike", prezanton vepra të artistëve italianë të shekullit XVI-XVII, Francesco Raibolini, Guido Reni, Annibale Carraçi, Giovanni Francesco Barbieri. Pjesë e këtij seksioni është edhe një vepër nga artisti flamand i shekullit XVII Anthony Van Dyck. Ky është një prezantim i shkollave të ndryshme italiane, Bolonjës, Romës, Venecias, Napolit dhe temat e trajtuara janë biblike, të antikitetit romak dhe peizazhe.


Seksioni i dytë, me titull "Atmosfera të shekullit XX" prezanton tendencat dhe kërkimet artistike të autorëve të njohur botërorë: Pablo Picasso, Kazimir Malevich, Giorgio de Chirico, Giorgio Morandi, Rene Magritte, Piet Mondrian, Marc Chagall, Joan Miro, Francis Bacon, Lucio Fontana, Andy Ëarhol, Jean Michel Basquiat.


Ekspozita qëndron e hapur deri më 30 maj. Organizohet në kuadër të stinës së aktiviteteve Italo Shqiptaro "Dy popuj, një det, një miqësi".


Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›