Berisha: Nano, merita në proceset integruese

Kryeministri Berisha foli për takimin e zhvilluar me Fatos Nanon, ndërsa mohoi që mes tyre të ketë një marrëveshje disavjeçare
TIRANË - Pasi është kthyer nga Brukseli, Kryeministri Sali Berisha ka bërë edhe ritualin e tij të radhës, duke folur mbi takimet me krerët e institucioneve të Bashkimit Europian, por edhe për takimin e tij në Vjenë me ish-kreun e Partisë Socialiste, Fatos Nanon. Berisha pranoi faktin se kishte qenë ai që e kishte ftuar ish-kreun e së majtës në takim dhe se nuk mund ta anashkalonte, sipas tij, një moment të tillë.
Kreu i qeverisë ka përsëritur sërish të njëjtën pikëpamje të tij politike ndaj së majtës, duke e identifikuar atë, me ish-liderin socialist, Fatos Nano. Duke e cilësuar atë si liderin historik të së majtës, kreu i qeverisë theksoi se ishte Fatos Nano ai që e transformoi Partinë Socialiste, duke e anëtarësuar edhe në Internacionalen Socialiste.
"Në Vjenë, unë ftova liderin historik të së majtës në një takim, i cili kishte disa arsye për të më takuar, dhe nuk mund të anashkaloja pa e takuar Fatos Nanon në këtë moment historik për vendin. Pavarësisht se ku ndodhet, ai ka meritat e tij dhe askush nuk mund t'ia mohojë. Zoti Fatos Nano mori Partinë e Punës dhe e shndërroi atë nga një parti e një njeriu në një parti që e zgjodhi kryetarin duke pasur edhe anëtar të thjeshtë.
E anëtarësoi në Internacionalen Socialiste. Nano më 2005, pasi humbi zgjedhjet dha dorëheqjen duke mbajtur premtimin e dhënë dhe duke kryer një akt civil", - tha dje Berisha. Kreu i ekzekutivit u shpreh gjithashtu se në takimin e tij me ish-kryeministrin Nano nuk është diskutuar për çështjen e zgjidhjes së krizës politike me opozitën, pasi, sipas tij, qëndrimi i Nanos mbi ngërçin politik është tashmë i njohur dhe se ai është shprehur kundër bojkotit dhe rrugës politike që po ndjek opozita aktuale.
Në këtë mënyrë, sipas Berishës, i gjithë diskutimi me ish-liderin e së majtës kishte të bënte me proceset integruese të vendit. "Unë, nuk diskutova diçka konkrete për një ndërhyrje të tij në situatën politike ndonëse qëndrimi i tij njihet publikisht dhe ai është shprehur kundër bojkotit. Duke takuar Fatos Nanon unë kam shprehur një respekt për të majtën shqiptare", - u shpreh ai.
Ky takim, sipas kreut të qeverisë, zhvillohej pas 20 vitesh, që nga darka e përbashkët në Trieste të Italisë. I pyetur nëse ka pasur një marrëveshje vjeçare midis tij dhe Fatos Nanos për manovrimin e situatave politike në vend, Berisha e mohoi këtë duke thënë se kjo hipotezë ishte vetëm një trillim dhe sajesë e mediave dhe se nuk rezulton e vërtetë.
"Ky takim me Nanon zhvillohej në një darkë, 20 vjet pas darkës së përbashkët në Trieste. Këto janë krijesa të mediave dhe unë shpjegova gjithë përmbajtjen e bisedimeve të zhvilluara në një darkë ku unë ftova zotin Nano.
Unë nuk mund të komentoj këto krijesa. Unë e thashë edhe më parë që biseda kishte të bënte me progresin e Shqipërisë dhe perspektivën europiane të saj", - nënvizoi Berisha. Ai vuri në dukje se më tej, se pavarësisht kundërshtive politike që ka pasur me ish-kryeministrin Fatos Nano, marrëveshjet e ndryshme politike që ai ka firmosur me të i kanë shërbyer vendit dhe proceseve integruese të tij.
Sipas Berishës, në të njëjtën mënyrë është vepruar edhe liderin aktual të opozitës Edi Rama, në marrëveshjen për ndryshimet në Kodin Zgjedhor dhe anëtarësimit të vendit në NATO. "Dua apo nuk dua unë Fatos Nano është lideri historik i së majtës.
Ky moment historik për vendin e donte që unë ta njihja zotin Nano me proceset integruese, pasi edhe ai ka kontributin e tij në të gjitha marrëveshjet, që janë nënshkruar me Bashkimin Europian. Të gjitha marrëveshjet që kam firmosur me Nanon i kanë shërbyer kauzës evropiane të Shqipërisë.
Është e vërtetë se kundërshtitë e mia me Nanon kanë qenë të panumërta, por marrëveshjet tona i kanë shërbyer të mirës së vendit, siç i shërbeu marrëveshja me Ramën, integrimit tonë në NATO", - shtoi Berisha.
I pyetur gjithashtu nëse pjesë e takimit me Nanon mund të ketë qenë edhe diskutimi për ambicien e ish-kreut socialist për t'u bërë President i vendit duke marrë edhe një orientim politik të djathtë, Berisha u përgjigj: "25 për qind e PS-së kërkon që të vijë djathtas. Ju të gjithë kërkoni Fatos Nanon, nuk mund t'ua sjell unë atë. Partia ime është e hapur, e moderuar për të pritur këdo".
Kryeministri Berisha ftoi opozitën për bashkëpunim sa i përket zgjedhjeve
Berisha: Kutitë s'hapen. PS të sjellë amendimet për Kodin
TIRANË - Pavarësisht apelit që mori nga krerët e institucioneve të Bashkimit Europian gjatë dorëzimit të Pyetësorit, se kriza politike duhet të zgjidhet sa më parë, pasi në të kundërt mungesa e kriterit politik do të ketë pasoja për integrimin e vendit në BE, Kryeministri Berisha ka mbajtur të njëjtin qëndrim edhe dje, duke theksuar se zgjidhja e krizës politike nuk do të arrihet ndonjëherë nëpërmjet hapjes së kutive të votimit.
Pas rikthimit të tij nga Brukseli, kreu i qeverisë përsëriti qëndrimin standard të tij dhe mazhorancës që përfaqëson se kjo e fundit i ka ofruar dhe do t'i ofrojë çdo mundësi opozitës për zgjidhjen e krizës politike, por gjithmonë duke respektuar ndarjen e pushteteve.
Për këtë arsye, sipas Kryeministrit, kreu i opozitës, Edi Rama, duhet të shqyrtojë ofertën e shumicës për zgjidhjen e ngërçit politik dhe të sjellë në Parlament të gjitha amendimet për përmirësimin e Kodit Zgjedhor duke u mbështetur edhe tek OSBE-ODIHR-i. "Në respekt të ndarjes së pushteteve jam i gatshëm për të bashkëpunuar me opozitën.
Ftoj zotin Rama që të shqyrtojë ofertën time si dhe ofertën për të paraqitur të gjitha amendamentet për përmirësimin e Kodit Zgjedhor, duke u mbështetur tek OSBE-ODIHR-i dhe të kryejë ai përzgjedhjen e amendamenteve. Për këtë, ka një hapësirë të gjerë për të arritur në një konsensus dhe transparencë europiane", - tha Berisha.
Në këtë mënyrë, sipas tij, ka një hapësirë të gjerë për zgjidhjen e krizës politike, por duke bërë transparencën e zgjedhjeve nëpërmjet procedurave ligjore e kushtetuese. "Hapësira është e plotë, e gjerë dhe totale. Në rast se opozita është e interesuar për transparencën, institucionet demokratike, kushtetuese dhe shteti ligjor kanë të gjitha procedurat jo vetëm për të hapur kutitë e votimit por edhe të kasafortave të këtij shteti", - u shpreh ai.
Por, mbi të gjitha, sipas kreut të ekzekutivit, procedura e transparencës së zgjedhjeve duhet të kryhet mbi bazën e rendit kushtetues dhe shtetit ligjor, që sipas tij, hapja e kutive të votimit nuk është rruga për zgjidhjen e ngërçit politik. "E rëndësishme është që t'i përmbahen Kushtetutës dhe ligjeve të vendit.
Rendi kushtetues, shteti ligjor kanë të gjitha procedurat për të bërë transparencën e çdo dokumenti dhe nuk kërkohet asnjë mjet tjetër. Çështja duhet të shtyhet përpara duke respektuar shtetin ligjor", - nënvizoi Berisha. Megjithatë, ai pranoi faktin se kriteret e Kopenhagenit duhet të përmbushen për t'u anëtarësuar për në BE.
Sipas tij, në këtë proces ndikon si qëndrimi i qeverisë po ashtu edhe ai i opozitës që sipas Berishës duhet të gjejnë zgjidhjen midis tyre. Për sa i përket periudhës së liberalizimit të vizave me vendet e hapësirës "Shengen", Berisha tha ende nuk ka një datë konkrete për heqjen e regjimit të vizave, pasi kjo është pjesë e përputhjes së axhendës së Komisionit, Këshillit dhe Parlamentit Europian.