Babai, djali, e dhëndri kapen me hashash
Policia arrestoi katër persona gjatë operacionit, të afërm mes tyre, ndërsa bllokoi 25 kile hashash i destinuar për në kryeqytet
Droga vinte nga Kruja ndërsa u kap pranë fshatit Bovillë, kur personat po e transportonin me një autoveturë
TIRANË- Arrestohen babë e bir bashkë me dhëndrin dhe një të afërm të tyre, ndërsa iu gjenden në një automjet 25 kilogram marijuanë e destinuar për t'u shitur në kryeqytet, ndërsa dyshohet se vetë edhe e kanë kultivuar.
Zeqir Karaj, 46 vjeç, djali i tij Idajet Karaj, 20 vjeç, banues në fshatin Mafsheq të Krujës, dhëndri i tyre, Kujtim Murati, 19 vjeç, me banim në Kamëz si dhe Meslim Karaj, 19 vjeç, u arrestuan gjatë mesnatës së të hënës, duke u gdhirë dita e djeshme në fshatin Bovillë të komunës së Zall-Herrit pas një hetimi katër mujor, nga Njësia Operacionale dhe strukturat e Antidrogës në Policinë e kryeqytetit. Operacioni që përfundoi me sekuestrimin e rreth 25 kilogramë hashash dhe arrestimin e të katër personave, dy prej së njëjtës familje, u bë dje i ditur nga burimet zyrtare të Policisë së Tiranës.
Policia arrestoi edhe personin që dyshohet të jetë bashkëpunëtori i tyre. U kapën pranë urës së Bovillës në Zall-Herr, në momentet që po lëviznin me makinën tip "Nisan" me targa të Krujës, KR 6415 A. Në bagazhin kësaj të fundit ishin paketuar 25 kile hashash i cili bllokua nga policia.
Sipas të dhënave të policisë, operacioni u zhvillua nga Sektori Kundër Narkotikëve dhe Sektori i Operacioneve Speciale, në bashkëpunim dhe forcat e policisë të Komisariatit nr. 5.
Nga të dhënat zyrtare të policisë së kryeqytetit nga hetimet paraprake dyshohet se lënda narkotike, prodhohej në një zonë malorë të rrethit të Krujës dhe destinacioni i saj ishte për t'u shitur në Kamëz dhe në zonat përreth saj. Dyshohet së babë e bir, bashkë me të afërmin e tyre, pasi e bënin gati në thasë hashashin ia sillnin 19- vjeçarit Murati, që është dhëndri i Zeqir Karajt.
Për të mbërritur në Kamëz apo në zonat përrreth saj me synim për t'ju shmangur kontrolleve të policisë, të arrestuarit kalonin me makinë në një terren të vështirë malor përmes fshatrave Noj, Bruz, Curril deri në Urën e Bovillës, ku dhe u kapën në flagrancë. Të arrestuarit janë marrë në pyetje për aktivitetin që kryenin si dhe për mënyrën se si arrinin ta sillnin lëndën narkotike nga Kruja për në Tiranë.
Ndërkohë hetimet ndaj babë e bir me mbiemrin Karaj, të afërmit të tyre 19- vjeçarit Murati do të vazhdojnë nga Prokuroria e Tiranës nëse ka persona të tjerë të përfshirë në këtë aktivitet të pa ligjshëm. Hetimet ndaj katër personave që janë arrestuar do të vazhdojnë për veprën penale të prodhimit dhe shitjes së lëndëve narkotike.
Më datë 13 prill të këtij viti, agjentët e Antidrogës në Policinë e Tiranës bllokuan rreth 408 gram heroinë dhe prangosën tre persona, të dyshuar si posedues të lëndës narkotikë të sekuestruar. Sipas policisë së Tiranës, e gjithë sasia e heroinës ishte bërë gati për t'u shpërndarë në lokalet e natës në kryeqytet, kryesisht në zonën e ish- Bllokut dhe në rrugën e Elbasanit.
Të arrestuarit
Zeqir Karaj, 46 vjeç
Idajet Karaj, 20 vjeç
Meslim Karaj, 19 vjeç
Kujtim Murati, 19 vjeç
Sekuestruar:
25 kilogramë kanabis sativa
Automjeti i markës "Nisan" me targa KR 6415 A