E Diel, 1 Nëntor 2026

Kushtet për vizat, Berisha: Përmbushja, në kohë rekord

Berisha: Rezoluta, vlerësim i punës së qeverisë

Kryeministri Sali Berisha e cilësoi dje rezolutën e PE-së për Shqipërinë një arritje madhore në procesin e heqjes përfundimtare të vizave, proces në të cilin, sipas Traktatit të Lisbonës, PE ka një zë përcaktues. Z. Berisha përshëndeti votimin e rezolutës nga Parlamenti Evropian dhe shprehu mirënjohjen për votëbesimin që treguan ndërkombëtarët ndaj qytetarëve shqiptarë. Kryeministri Sali Berisha vlerësoi votimin gati në unanimitet të plotë të rezolutës për Shqipërinë në Parlamentin Evropian. Duke vënë theksin tek çështja e vizave, Berisha e konsideroi votimin mbështetje të fortë për këtë proces të rëndësishëm dhe sigurisht vlerësim për arritjet në këtë drejtim të qeverisë dhe institucioneve shqiptare. "Votë historike, votëbesim i shkëlqyer për qeverinë dhe institucionet që kanë punuar në këtë proces. Do të punojmë në seriozitet për të përmbushur edhe tri kushtet e mbetura", - u shpreh z. Berisha. Duke premtuar punë inventive dhe seriozitet për plotësimin e tri rekomandimeve të rëndësishme të Komisionit Evropian, Berisha theksoi se vota e PE-së ishte vlerësim për përpjekjet dhe punën e vendosur të bërë nga institucionet shqiptare. Pikërisht miratimi i rezolutës nga ana e Komisionit të Jashtëm të Parlamentit Evropian pro liberalizimit të vizave për Shqipërinë ishte temë kryesore e fjalës së Kryeministrit Sali Berisha në mbledhjen e përjavshme të Këshillit të Ministrave. Berisha e cilësoi votimin thuajse unanim të Komisionit si një vlerësim të përpjekjeve të qeverisë shqiptare për të përfituar nga lëvizja e lirë dhe tha se i njëjti angazhim do të mbahet edhe ndaj 3 kërkesave shtesë të Komisionit për liberalizimin e vizave. Në korrik, një grup ekspertësh i Komisionit Evropian do të vijë në vendin tonë për të verifikuar plotësimin e kushteve shtesë për Shqipërinë për heqjen e vizave dhe për këtë Kryeministri Berisha premtoi se deri atëherë këto kërkesa do të jenë jetësuar. "Dua të shpreh mirënjohjen e thellë për votëbesimin e shkëlqyer që dëshmuan parlamentarët evropianë ndaj qytetarëve shqiptarë. I siguroj ata se qeveria po punon me intensitet dhe seriozitetin më të madh për të plotësuar edhe 3 rekomandimet e rëndësishme të KE-së, të njoftuara nga komisionerja Malmstrom", - tha Kryeministri. Sipas z. Berisha, kjo rezolutë është përkthyer si një dritë jeshile për liberalizimin e vizave, pasi thekson se liberalizimi i tyre është tashmë një proces i pashmangshëm. Procesi i heqjes së vizave, kaq shumë i pritur nga shqiptarët, u bë një proces i pandashëm që po ecën tashmë në rrugë të drejtë. Miratimi nga Komisioni i Jashtëm i Parlamentit Evropian i rezolutës për heqjen e vizave për Shqipërinë përbën një moment historik për qytetarët shqiptarë, - tha Kryeministri Berisha.

Ai siguroi parlamentarët evropianë se qeveria po punon me intensitet për të plotësuar tri rekomandimet shtesë për vizat, të njoftuara nga komisionerja Malmstrom, ndërsa informoi se "gjatë muajit korrik vijnë në Shqipëri përfaqësuesit e Komisionit Evropian për të konstatuar seriozitetin e qeverisë në përmbushjen e kritereve". Ka qenë ky seriozitet i institucioneve të vendit, i qeverisë shqiptare, reformat e thella, të cilat zhdukin çdo lloj hezitimi për tu dhënë të drejtën e lëvizjes së lirë në hapësirën e BE-së qytetarëve shqiptarë. Këto janë një vlerësim i seriozitetit të madh me të cilin ne kemi trajtuar këtë çështje, duke qenë të bindur se çdo reformë, çdo çmim apo ligj ishte i dobishëm dhe i domosdoshëm për tu garantuar qytetarëve shqiptarë një dimension të ri, të madh në lirinë e lëvizjes së tyre, atë të heqjes së vizave për lëvizjen në BE, - u shpreh Kryeministri. Z. Berisha shprehu gjithashtu falënderimet për të gjithë qeveritarët, punonjësit, zyrtarët e institucioneve të vendit për përpjekjet e tyre serioze në përmbushjen detyrimeve që rrjedhin nga udhërrëfyesi i vizave. Dua të falënderoj të gjithë qeveritarët, zyrtarët, punonjësit e mbi 40 institucioneve të këtij vendi, të cilët kanë bërë përpjekjet më të mëdha, më serioze, më të suksesshme për përmbushjen e detyrimeve që rrjedhin nga udhërrëfyesi i heqjes së vizave. Në korrik do të vijnë përfaqësues të KE-së për të parë si janë plotësuar kriteret. Gjatë korrikut do vijnë edhe një herë përfaqësues të Komisionit që funksionon në parimin e Shën Thomait, vjen e i prek gjërat vetë dhe ne jemi shumë të kënaqur me këtë. Ata do vijnë te agjencitë tona dhe do konstatojnë seriozitetin me të cilin kemi marrë porositë e tyre, - u shpreh Kryeministri. Në këtë sens, sipas Berishës, një nga kërkesat kryesore, që ishte strategjia për integrimin e të riatdhesuarve, është plotësuar. Po ashtu, kreu i qeverisë garantoi se lufta me vendosmëri për zbatimin e ligjit të konfiskimit të pasurive të krimit të organizuar po njeh nivele të reja. Kryeministri theksoi se asnjë shtetas shqiptar nuk do të qëndrojë në vendet e BE-së më shumë se 90 ditë. Gjithashtu, gjatë kësaj mbledhjeje, Kryeministri Berisha njoftoi: Shqipëria merr sot (dje) çmimin e dytë në botë për transparencën, duke u bërë vendi i parë me prokurime elektronike 100%. Ky çmim prestigjioz akordohet nga OKB-ja dhe jepet në Lisbonë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›