E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dell: Qeverisë së Kosovës i duhet guxim

Ambasadori i SHBA-ve në Kosovë, Christopher Dell ka theksuar se rreziqet e bërjes së biznesit në Kosovë janë të larta, si dhe pengesat burokratike dhe afariste për të investuar këtu po ashtu janë dekurajuese. Ndërkaq pohoi se përmes riorganizimit të proceseve administrative, zbatimit të kontratave dhe mbështetjes së investitorëve, Kosova mund të përmirësojë imazhin e vet dhe të sjellë kapital në vend.

Të enjten është publikuar studimi “Diagnozë e mjedisit afaristë për reformat ligjore institucionale, për agrobiznes dhe mjedis afarist dhe rekomandimet për Kosovën”, studim i bërë nga USAID-i, i cili identifikon mangësitë, në aktivitetet ekonomike, ofron vështrime të brendshme në dobësitë dhe kufizimet e aktiviteteve ekonomike, propozon atë që duhet arritur nga Qeveria, si dhe ofron rekomandime pragmatike për biznesin e së ardhmes, për menaxherët në sektorin privat, fermerët e vegjël dhe shoqatat e prodhuesve.

Ambasadori Dell me këtë rast ka thënë se Qeverisë së Kosovës i duhet guxim që t’i shtyjë reformat e nevojshme dhe të qëndrojë këmbëngulëse deri sa reformat të vihen në vend.

“Ndryshimi nuk është asnjëherë i lehtë. Shumë sektorë u rezistojnë ndryshimeve, do të duhet guxim për Qeverinë e Kosovës që t’i shtyjë reformat e nevojshme dhe të qëndrojnë këmbëngulës deri sa reformat të vihen në vend. Por edhe Qeveria edhe bizneset duhet të mbeten në këtë rrugë, në mënyrë që Kosova të jetë konkurrente në rajon dhe Evropë, që të stimulohet eksporti dhe të zbutet papunësia, kjo duhet të ndryshojë, duhet të bëhet më dinamike. Është vetëm një mënyrë për ta bërë këtë, me ekonomi të lirë, të udhëhequr nga sektori konkurrent privat që krijon vende pune dhe mirëqenie për të gjithë qytetarët e Kosovës”, ka thënë ambasadori Dell.

Ai ka shtuar se rreziqet e bërjes së biznesit në Kosovë janë të larta, si dhe pengesat burokratike dhe afariste për të investuar këtu po ashtu janë dekurajuese. Ndërkaq pohoi se përmes riorganizimit të proceseve administrative, zbatimit të kontratave dhe mbështetjes së investitorëve, Kosova mund të përmirësojë imazhin e vet dhe të sjellë kapital në vend.

Ministri i Ekonomisë dhe Financave Ahmet Shala, duke përgëzuar ekspertët dhe USAID-in, për punën e bërë në këtë projekt, ka thënë se Qeveria e Kosovës së bashku me miqtë ndërkombëtar ka arrit që legjislacioni i Kosovës të jetë i harmonizuar me atë modern dhe që i përshtatet të ardhmes së Kosovës.

Ai tha se studimet e bëra janë të thella, analitike, me shumë perspektivë dhe që do t’i ndihmojnë qytetarit të Kosovës, buxhetit të Kosovës për ta ndryshuar edhe strukturën e ekonomisë në Kosovë, por edhe vet pozicionimin e Kosovës në regjion.

Ai pohoi se një nga sfidat që do të jenë edhe në dekadat e ardhshme do të jetë punësimi, dhe bilanci tregtar i Kosovës me vendet e regjionit, sfida këto të cilat janë identifikuar edhe në këtë projekt të bërë nga USAID-i.

“Këto dy projekte, kanë identifikuar se Kosova mund të ketë një zhvillim dhe investim në bujqësi me një qarkullim mbi 750 milionë euro dhe një punësim deri në 200 mijë veta. Kjo nuk do të arrihet për një ditë as për dy, e as për tre vjet, sigurisht nevojitet një afat më i gjatë për të mund të arrihet në këtë shkallë të zhvillimit, sidomos të sektorit të bujqësisë”, ka thënë ministri Shala.

Edhe Blerand Stavileci, Ministri i Bujqësisë Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, ka thënë se
Qeveria e Republikës së Kosovës që nga viti 2008 ka rritur në mënyrë progresive buxhetin për bujqësinë, konkretisht për kategorinë e projekteve të investimeve kapitale, dhe për kategorinë e projekteve zhvillimore të granteve e të pagesave direkte.

“Ministria e Bujqësisë është duke punuar në zhvillimin institucional, për krijimin e kapaciteteve dhe të infrastrukturës për menaxhimin e fondeve që orientohen në përkrahje të sektorëve me potencial, për mbulimin e tregut me produkte bujqësore. Me qëllim të forcimit të ekonomisë agro-rurale, në aspektin e kuadrit ligjor dhe të atij institucional, Ministria e Bujqësisë ka ndërmarr vendime dhe hapa konkret në përmirësimin e strukturave të fermave bujqësore”, ka thënë ministri Stavileci.

Raporti “Diagnozë e mjedisit afaristë për reformat ligjore institucionale, për agrobiznes dhe mjedis afarist dhe rekomandimet për Kosovën”, ka të bëjë me kushtet dhe mundësitë e të bërit biznes në Kosovë, në sektorin bujqësor. Nëpërmjet provimit të ngushtë të politikave përkatëse, ligjet, institucionet dhe dinamikat sociale, ajo synon të informojë vendimet e asistencës nga USAID-i dhe donatorë të tjerë në fushën e zhvillimit bujqësor në Kosovë. Ofron pasqyrën se sa mund të jetë i dobishëm për zyrtarët e qeverisë, përfaqësues të sektorit privat dhe të tjerët e involvuar në sektorin bujqësor. /kosovapress/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›