Kushtetuesja: Dekretet e gjyqtarëve, Topi të arrijë konsensus me Kuvendin
Gjykata Kushtetuese zbardh vendimin për interpretimin e neneve, që lidhen me procedurën e zgjedhjes së gjyqtarëve kushtetues nga Topi. Për përtëritjen e Gjykatës Kushtetuese, çdo tre vjet me një të tretën e anëtarësisë, do të nevojitet rregullim ligjor me votat e PD-së dhe PS-së
Presidenti i Republikës, Bamir Topi, nuk do të mund të ushtrojë më i vetëm detyrimin kushtetues për emërimin e gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese. Në përgjigje të kërkesës së një grupi deputetësh demokratë, për interpretimin e nenit 125/2 të Kushtetutës, që lidhet me emërimin e gjyqtarëve të Kushtetueses, Gjykata Kushtetuese vendosi që Presidenti dhe Kuvendi të jenë interpretuesit e parë të normës kushtetuese, andaj këto dy institucione duhet të bashkëpunojnë për përcaktimin e kritereve ligjore, në përputhje me kërkesën kushtetuese për kualifikim të lartë, dhe një përbërje cilësore të kësaj gjykate. Pak kohë më parë, demokratët pretenduan në Kushtetuese se gjykatësit duhet të emëroheshin vetëm në bazë të meritës dhe sipas kritereve të qarta dhe të njohura publikisht dhe se procedura që duhet të ndiqte Presidenti i Republikës në përzgjedhjen e tyre duhet të ishte transparente. Nga ana tjetër, edhe Presidenti, përmes një shkrese drejtuar Kushtetueses, u shpreh se kompetencat për emërimin e gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese janë ushtruar sipas atributeve, që Kushtetuta ka parashikuar për Presidentin.
Rotacioni
Kjo ishte kërkesa e parë e një grupi deputetësh të PD-së, ndërkohë që vendimi i djeshëm i Gjykatës Kushtetuese (me relatore Altina Xhoxhaj) ka lënë të hapur betejën për një tjetër çështje, po aq të rëndësishme që lidhet me interpretimin e nenit 125, pika 3 e Kushtetutës ku thuhet se “përbërja e Gjykatës Kushtetuese përtërihet çdo tre vjet në një të tretën e saj, sipas procedurës së caktuar me ligj”. Kjo kërkesë erdhi në kohën kur në Kuvend po diskutoheshin katër kandidaturat e Presidentit Bamir Topi, për në Gjykatën Kushtetuese. Edhe pse tre prej tyre nuk panë dritën jeshile, që gjatë diskutimit në Komisionin e Ligjeve, paralelisht demokratët kërkuan interpretim të nenit 125/3 me argumentin se ligji “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese” nuk e sqaronte këtë çështje, ndërsa mënyra sesi ishte zbatuar deri më tani krijonte një problem, pasi në rast se 4 gjyqtarët kushtetues, që ishin çuar për diskutim në Kuvend, do të zgjidheshin brenda muajit Dhjetor të vitit të kaluar, atëherë asnjëherë dispozita kushtetuese, (që një e treta e trupës gjykuese duhet të ripërtërihet çdo tre vjet), nuk do mund të realizohej. Por saktësimi i një praktike të tillë rotacioni, nga Gjykata Kushtetuese kërkon krijimin e një përvoje juridike të posaçme në fushën e gjykimit kushtetues. Për pasojë, Gjykata Kushtetuese çmon se gjetja dhe zbatimi i një mekanizmi të përshtatshëm, për të respektuar nenin 125/3 të Kushtetutës, është kompetencë e ligjvënësit kushtetues. Pra me pak fjalë, mazhoranca dhe opozita do të duhet të ulen bashkarisht për të gjetur një zgjidhje ligjore, për të plotësuar pikërisht vakumin në ligjin “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese”, pasi një ndërhyrje e tillë kërkon 3/5 e votave.
Një situatë e tillë lë pezull në fakt procedurën e zgjedhjes së gjyqtarëve të rinj zëvendësues për në Kushtetuese, ndërkohë që nuk dihet ende se çdo të ndodhë me të vetmen kandidaturë që u miratua nga Komisioni i Ligjeve, Fatmir Hoxha. Sa i përket kërkesës tjetër, që lidhet me interpretimin e nenit 136/5 e Kushtetutës, që lidhet me kushtet dhe procedurën e zgjedhjes së anëtarëve të Gjykatës së Lartë, Kushtetuesja argumentoi se nuk hyn në juridiksionin e saj.