Raporti i BE, Berisha: PS të votojë ligjet në Kuvend
Berisha mbledh Komitetin për raportin e Brukselit: “Duhet të përmbushim sa më shpejt ato detyrime që kanë mbetur pa u përmbushur, për shkak të alternativës, e cila thotë se është më e rëndësishme duke bllokuar se duke votuar”
TIRANË Pas sinjaleve të para të lëshuara nga Komisioni Europian për raportin kritik, që do të publikohet më 12 Tetor për Shqipërinë, Kryeministri Sali Berisha ka ftuar dje kryetarin e opozitës, Edi Rama, që të bëhet pjesë e reformave ligjvënëse në Kuvend. Komiteti Ndërministror për Integrimin diskutoi dje, me propozim të Kryeministrit mbi dy çështje: a) Raportin e Komisionit Europian mbi situatën, pas heqjes së vizave me vendet e Ballkanit Perëndimor; b) Planin e Veprimit për zbatimin e 12 rekomandimeve të Opinionit të Komisionit Europian. Berisha ka folur gjatë dje për parimin e numërimit të çdo vote, duke shtuar se, bazuar në këtë parim Kolegji Zgjedhor vendosi 5 me 0. Duke shprehur sigurinë se gjithçka po zbatohet brenda kuadrit të shtetit ligjor, Berisha kërkoi që edhe opozita të përmbushë detyrimet e saj, duke votuar ligjet në Kuvend. “Uroj që opozita të përmbushë detyrimet e veta, uroj që të kuptojë se, jo bllokimi, por votimi, jo destruktiviteti, por konstruktiviteti, është alternativa që duan qytetarët shqiptarë. Duhet të përmbushim sa më shpejt ato detyrime që kanë mbetur pa u përmbushur, për shkak të alternativës, e cila thotë se është më e rëndësishme duke bllokuar se duke votuar”, tha dje Berisha. Miratimi i ligjeve, që kërkojnë shumicë të cilësuar është një nga 12 kriteret kyçe që Shqipëria duhet të përmbushë. “Gjatë javës së ardhshme është edhe takimi i delegacioneve parlamentare të vendit, me delegacionet parlamentare të PE-së për Shqipërinë dhe është momenti të bëhet një paraqitje e zgjeruar e të gjitha realizimeve të bëra ndërkohë. Sepse e vërteta është që qeveria, agjencitë e këtij vendi, kanë bërë përpjekje për të përmbushur sa më shumë nga detyrimet që rrjedhin nga Raporti i vitit të kaluar”, - tha ai. Kryeministri përmendi dje një tjetër çështje po aq të rëndësishme, që lidhet me raportin e Komisionit Europian mbi situatën pas heqjes së vizave me vendet e Ballkanit Perëndimor, Serbinë, Malin e Zi, Bosnje-Hercegovinën, Maqedoninë dhe Shqipërinë. Nga kjo analizë, që Komisioni i bën çështjeve të dala nga heqja e përkohshme e vizave për qytetarët e këtyre vendeve, rezulton se Shqipëria është në parametrat më optimalë. “Ky është një zhvillim shumë pozitiv, është dëshmi e qëndrimit të përgjegjshëm të qytetarëve shqiptarë ndaj një vendimi iluminist të qeverive të zonës së Shengenit. Vendim, me të cilin ata kanë pranuar që qytetarët e vendeve tona të lëvizin lirshëm në territorin e kësaj zone. E kam theksuar dhe e theksoj se në rast se këto vende do të bënin një referendum, ju garantoj se secili nga këto kombe do të votonte ndryshe nga sa ne do të donim, pra, do të votonin me një ‘jo’. Por qeveritë e kanë kapërcyer dhe e theksoj kanë marrë një vendim shumë të favorshëm për ne, që bazohet në veprime të mëdha të lëvizjes së lirë, respektim e saj, lirinë e lëvizjes”, - tha Berisha. Nga ana tjetër, kryeministri theksoi se është e domosdoshme, që çdo hallkë e Udhërrëfyesit të konsolidohet dhe zhvillohet më tej.