E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kushtetuesja: Komisioni hetimor ndaj Ramës, i paligjshëm

TIRANË - Gjykata Kushtetuese ka rrëzuar kërkesën e Kryeministrin Berisha për të ngritur një komision parlamentar hetimor për Ramën. Iniciativë e shapllur para zgjedhjeve.

Furia e shpifjeve të nxjerra me qëllim elektoral për lejet e ndërtimit të Bashkisë së Tiranës, është konsideruar nga Gjykata Kushtetuese shkelje lirish e të drejtash kushtetuese.

Gjatë një konference për shtyp, kreu i Bashkisë së Tiranës, evidentoi këtë fakt, por shtoi se Sali Berisha ka ende borxhe ndaj Bashkisë së Tiranës. "Ka ndërmarrë një tjetër nismë antikushtetuese, madje në shkelje të plotë të një vendimi që vetë Gjykata Kushtetuese nxorri pas shembjes kriminale të nënkalimit të Zogut të Zi, për të cilën qeveria e Sali Berishës i detyrohet sot e gjithë ditën Bashkisë së Tiranës pagesën e dëmit", tha Rama.

Ndërsa vijoi se "Në vend të pagesës së dëmit që na detyrohet, për shkak të cënimit të autonomisë e të ligjit, Sali Berisha ka vendosur së fundmi t'i japë vetes një bazë ligjore, përsëri antikushtetuese, për të shtrirë atë që ai paturpësisht e quan operacion "antimafia" në Tiranë, por që në fakt është një operacion mafioz i pushtetit të tij, kundër sipërmarrësve të listuar nga Sali Berisha si mafiozë, vetëm e vetëm sepse financojnë media kritike ndaj qeverisë apo thjesht nuk financojnë oborrin e familjes së tij", vijoi ai.

I kapur mat mbi kutitë e mbyllura forcërisht të 28 qershorit dhe i alarmuar nga frika e protestës popullore, e cila pa asnjë dyshim do të përshkallëzohet më tej, në pamundësi për t'u ofruar shqiptarëve paqe, zhvillim e mirëqenie, Sali Berisha ka shpallur opozitën rrezik kombëtar dhe ka hapur një luftë antikushtetuese e antiligjore me Bashkinë e Tiranës e me bashkitë opozitare në tërësi, si simbole të opozitës e të suksesit në qeverisje, duke synuar të tërheqë vëmendjen e publikut e të dekurajojë opozitën me shpifje barbare e sulme mafioze.

E ka të kotë! Duke mos hapur kutitë e votimit, Sali Berisha ka zgjedhur të largohet. Asgjë, asnjë mal shpifjesh dhe asnjë seri sulmesh mafioze nuk e shmangin dot largimin e tij"

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›