Nëna e Edi Ramës padit Sali Berishën
TIRANË - Nëna e Edi Ramës vendos të thyejë heshtjen përpara shpifjeve të kryeministrit Berisha. Aneta, gruaja emri i së cilës është përfolur nga kryeministri në çdo dalje publike i është drejtuar dje Gjykatës së Lartë. Ajo ka zgjedhur rrugën ligjore për tu përballur me njeriun që për vite me radhë e ka sulmuar publikisht.
Aneta Rama shpjegon në padinë e saj marrëdhëniet me të birin dhe tregon ndjesitë e një nëne që përbaltet pothuajse çdo ditë nga politika shqiptare. "Thëniet e kumtuara prej Sali Berishës nga tribuna e Kuvendit të Shqipërisë janë të krijuara prej të akuzuarit për qëllimet e tij.
Këto "fakte" janë tërësisht të pavërteta, nuk i përgjigjen asgjëkund realitetit", - thuhet në padinë e znj. Aneta Rama. "Shekulli" publikon të plotë padinë e shkruar nga nëna e kryetarit të Partisë Socialiste, Edi Rama.
E nderuar zonja Kryetare!
Në cilësinë e personit të dëmtuar nga vepra penale e kryer, me anën e kësaj kërkese për gjykim, shpreh vullnetin tim për të gjykuar shtetasin Sali Ram Berisha, me detyrë Kryeministër i Republikës së Shqipërisë, pasi botërisht ka konsumuar në dëmin tim veprën penale të shpifjes, parashikuar nga neni 120/2 të Kodit Penal.
Vepra e mësipërme është konsumuar në Kuvendin e Shqipërisë, gjatë fjalës së mbajtur prej të akuzuarit prej meje në seancën plenare të datës 26.11.2009. Në këtë seancë, Sali Berisha shqiptoi në ligjëratë të drejtë në adresën time fjalët e mëposhtme: "Tani do t'i them zonjës: kam shumë respekt për ty po do ishte në nderin tënd dhe të integritetit tënd që t'u tregosh shqiptarëve që e ke mjekuar djalin tënd 10 vjet për skizofreni! ... dil me kurajë si nënë shqiptare dhe thuaju të vërtetën, e ngrihu mbi sentimentet e një djali që të ka nxjerrë me lecka, nga shtëpia e tij, me rroba gjumi në pazar."
Nga këto thënie dalin në pah dy momente me përmbajtje shpifëse në dëmin tim:
1. Në fjalën e tij i akuzuari prej meje më bën thirrje që të dal e t'iu tregoj shqiptarëve se djalin tim Edi Rama e paskam kuruar për 10 vjet nga sëmundja e skizofrenisë.
jo është një shpifje që synon të ulë dinjitetin tim si nënë para syve të mbarë opinionit publik sepse, sipas Sali Berishës, megjithëse e ndërgjegjshme për sëmundjen e tim biri, e cila në fakt është absolutisht një trillim i njeriut që sot akuzoj, unë nuk paskam as kurajën dhe as sinqeritetin që t'ua bëj atë të ditur shqiptarëve, me gjithë përgjegjësinë që kam ndaj tyre si qytetare dhe si nënë shqiptare.
2. I akuzuari prej meje, Sali Berisha, shpif edhe kur përhap thënie të pavërteta sikur im bir, Edi Rama, më paska dëbuar, duke më nxjerrë nga shtëpia në rrugë me rrobat e gjumit. Ky fakt është i pavërtetë dhe me përmbajtje shpifëse që synon të zhvleftësojë para opinionit publik personalitetin tim të krijuar një jetë të tërë me punë të ndershme e marrëdhënie gjithnjë korrekte me shoqërinë.
Thëniet e mësipërme të kumtuara prej Sali Berishës nga tribuna e Kuvendit të Shqipërisë janë të krijuara prej të akuzuarit për qëllimet e tij. Këto "fakte" janë tërësisht të pavërteta, nuk i përgjigjen asgjëkund realitetit. Në thëniet e sipërcituara plotësohen të dy elementët objektivë të domosdoshëm për ekzistencën e figurës së veprës penale të shpifjes.
Nga ana tjetër, është i kuptueshëm qëllimi i posaçëm dhe i kundërligjshëm i autorit, i cili synon të ulë dinjitetin tim njerëzor dhe respektin që unë gëzoj në shoqëri. Në rastin e parë kërkon të më paraqesë para opinionit publik si një grua të pasinqertë dhe të papërgjegjshme për fatin e bashkëqytetarëve të saj, kurse në rastin e dytë, i akuzuari synon të njëjtin qëllim, por në kontekstin e një nëne pa dinjitet, të cilën i biri e flak për leckash në rrugë.
Në të dyja rastet, qëllimi kriminal i Sali Berishës shkon në drejtimin e paracaktuar nga mendësia e tij për të diskredituar publikisht jo vetëm kundërshtarin e tij politik, por edhe njerëzit e afërt të familjes.
Për këto arsye, Sali Berisha duhet të gjykohet, sepse ka konsumuar ndaj meje veprën penale të shpifjes, të kryer botërisht, faqe deputetëve të Kuvendit dhe përfaqësuesve të mjeteve të informimit publik, e cila sanksionohet sipas nenit 120/2 të Kodit Penal.
Lidhur me sa parashtrova, i kërkoj Gjykatës së Lartë që të caktojë një datë për të marrë në shqyrtim këtë kërkesë për gjykimin e të akuzuarit Sali Berisha, për kryerjen e veprës penale të shpifjes, të kryer botërisht në dëmin tim.
Gjithashtu, në mbështetje të neneve 58 e vijuese të K.Pr.P kërkoj që të legjitimohem në cilësinë e paditësit civil në procesin penal, me qëllim paraqitjen e kërkimeve në proces për shpërblimin e dëmit të shkaktuar nga veprat penale të kryera në dëmin tim nga i akuzuari.
Bashkëlidhur kësaj kërkese ju paraqes:
- Në kopje elektronike dhe të printuar fjalën e të akuzuarit prej meje zotit Berisha, mbajtur në Kuvendin e Shqipërisë në datën 26.11.2009.
- Kopje të gazetave të mëposhtme, të cilat kanë pasqyruar fjalën e Z. Berisha në Kuvendin e Shqipërisë të datës 27.11.2009:
- Gazeta "Rilindja Demokratike",
- "Gazeta Shqiptare"
- Gazeta "Panorama",
- Gazeta "Korrieri",
- Gazeta "Shekulli".
E dëmtuara akuzuese
Aneta Rama
Përfaqësuar nga avokatët Arian Salati e Eno Bushi
Tiranë, më 18 dhjetor 2009
KËRKESË PËR GJYKIM
E DËMTUAR AKUZUESE: Aneta Rama, e bija e Petros dhe Amalisë, e vtl. 1938, lindur në Vlorë dhe banuese në Tiranë, në adresën rr. "Muhamet Gjollesha", nr. 20, të përfaqësuar me prokurë të posaçme nr. 3013 rep., nr. 633 kol., datë 14.12.2009 nga avokatë Arian Salati e Eno Bushi.
KUNDËR: Sali Berisha, Kryeministër i Republikës së Shqipërisë, i biri i Ramës, i vtl. 1944, lindur në Viçidol, Tropojë dhe banues në Tiranë, me adresë Këshilli i Ministrave i RSH, Blv. "Dëshmorët e Kombit", Tiranë.
ME OBJEKT:
1) Gjykimin e të akuzuarit Sali Berisha, për kryerjen në dëmin tim të veprës penale të shpifjes, të kryer botërisht, parashikuar nga neni 120/2 i Kodit Penal;
2) Legjitimimin e personit tim në cilësinë e paditësit civil në procesin penal ndaj të akuzuarit prej meje, me qëllim procedimin e të akuzuarit dhe shpërblimin e dëmit të shkaktuar.
MBËSHTETJA LIGJORE: Neni 141 i Kushtetutës së RSH, nenet 58, 59, 60, 75/b dhe 62 të KPrP.
DREJTUAR: GJYKATËS SË LARTË TIRANË