E Diel, 1 Nëntor 2026

Kushtetuesja la në fuqi pezullimin e Ballukut, Berisha: Gjykata hodhi në kosh padinë bashkë me Ramën

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, komentoi gjatë një bashkëbisedimi online me qytetarët vendimin e Gjykatës Kushtetuese, e cila rrëzoi padinë e kryeministrit Edi Rama për pezullimin e ministres Belinda Balluku.

Berisha vlerësoi qëndrimin e gjyqtarëve që votuan kundër padisë së Ramës, por shtoi se edhe Gjykata Kushtetuese, sipas tij, ka përgjegjësi pasi i ka dhënë kohë Ballukut të fabrikojë dhe falsifikojë dokumente.

“Qëndrimet e tij hasën në kundërshtimin më të fuqishëm të partnerëve dhe Komisionit Europian. Shkelmon interesat e qytetarëve për të mbrojtur lëkurën e tij. Vlerësoj qëndrimin e gjykatësve të cilët me guxim rrëzuan një kërkesë që ishte baraz me grusht shteti. Me ndarjen 4:4 të paktën kërkesa e Ramës nuk u miratua dhe përfundoi në koshin e plehrave bashkë me Ramën”, tha Berisha.

Më tej, Berisha u shpreh se mazhoranca nuk do t’ia heqë imunitetin Ballukut, duke theksuar se sipas tij kjo lidhet me përpjekjet e Partisë Socialiste për t’u mbrojtur nga aferat.

Sipas tij, për këtë arsye janë përgatitur edhe ndryshime në reformën në drejtësi.

Në fund, Berisha i bëri thirrje qytetarëve dhe opozitës të vijojnë protestat paqësore, duke e cilësuar këtë moment si vendimtar për largimin e Edi Ramës nga pushteti dhe për mbrojtjen e së ardhmes europiane të vendit.

Gazetare: Rugova Dushnica

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›