Kushtetuesja lë në fuqi sekuestrimin e pasurive të Redi Mollës

TIRANË, 21 prill /ATSH/ Gjykata Kushtetuese rrëzoi sot kërkesën e Redi Mollës dhe la në fuqi vendimin e Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, për sekuestrimin e pasurive të tij.
Ish-drejtori i UKT-së së Bashkisë së Tiranës, kishte kërkuar shfuqizimin si antikushtetues të vendimeve të Gjykatës së Lartë, Gjykatës së Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar si dhe Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, për sekuestrimin e pasurive të tij, në kuadër të hetimeve për dosjen “5D”.
Redi Molla dhe ish-drejtorët e tjerë të Bashkisë Tiranë, Mariglen Qato dhe Taulant Tusha, u arrestuan në mars të vitit 2024 me urdhër të Prokurorisë së Posaçme Antikorrupsion, në kuadër të hetimeve për dosjen “5D” me akuzën e korrupsionit dhe shkeljes së barazisë në tendera.
Në tetor të vitit te kaluar, Gjykata e Posaçme e Apelit ndryshoi masën e sigurimit për Redi Mollën, nga “arrest me burg” në “arrest shtëpie” bazuar në kërkesën e tij se ishte në gjendje të rëndë shëndetësore.
Sipas akuzave të ngritura ndaj tyre, ata dyshohet të jenë pronarë faktikë të kompanisë “5D”, e cila ka përfituar disa tendera nga Bashkia e Tiranës.
/m.q/a.f/