E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kushtetuesja rrëzon aleaten e PS për rolin e KQZ në Tiranë

SHKRUAN: Fejzi Braushi 19-09-2011 10:20

Gjykata Kushtetuese rrëzon një pjesë të pretendimeve të opozitës për rolin që luajti Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në procesin e zgjedhjeve vendore të 8 Majit në Tiranë. Bëhet fjalë për funksionin që mori KQZ si KZAZ e madhe e Bashkisë së Tiranës, ku mes të tjerave asaj iu dhanë kompetencat për të shqyrtuar ankimimet e ardhura nga KZAZ-të e njësive minibashkiake, apo edhe për të nxjerrë tabelën e rezultatit kur njëra prej tyre për shkaqe të ndryshme nuk mund ta miratonte. Sipas Kushtetueses, nuk ka argumente ligjore që një funksion i tillë i KQZ-së, i vënë në praktikë në rastin e njësisë bashkiake numër 5 në kryeqytet, të jetë antiligjor dhe aq më tepër antikushtetues. Rasti në fjalë është marrë në shqyrtim nga Gjykata Kushtetuese falë vënies në lëvizje që i është bërë asaj jo në mënyrë të drejtpërdrejtë nga Partia Socialiste, por nga një prej aleatëve të saj në koalicionin zgjedhor “Aleanca për të Ardhmen”, Partia për Mbrojtjen e të Drejtave të Punëtorëve të Shqipërisë (PMDPSH).

Ankimimi

Pavarësisht se forca ankimuese hyn tek ato subjekte që s’të thonë asgjë përtej emrit, rasti të cilin ajo ka referuar në Gjykatë Kushtetuese përbën një çështje që prek në mënyrë të drejtpërdrejtë disa nga momentet më të diskutuara në zgjedhjet e shkuara vendore, kryesisht në Tiranë. Kështu, Partia për Mbrojtjen e të Drejtave të Punëtorëve të Shqipërisë, nisur pikërisht nga këto debate të ngritura gjatë procesit të numërimit dhe nxjerrjes së rezultatit në Tiranë, ka kërkuar nga Gjykata që të shfuqizojë pikën e parë të nenit 124 të Kodit Zgjedhor, duke pretenduar se funksioni që i jepet KQZ-së për të nxjerrë rezultatin kur këtë gjë nuk e bën dot KZAZ-ja e njësisë minibashkiake është i pakuptimtë dhe për rrjedhojë antikushtetues. Sipas ankimuesit, neni në fjalë që parashikon ankimin në KQZ të vendimeve të KZAZ është antikushtetues, pasi ankimi do të shqyrtohet nga e njëjta trupë prej 7 anëtarësh, pra KQZ, kur KZAZ nuk funksionon (pra nuk nxjerr rezultatet e votimit). Kjo sipas kërkuesit, cenon parimin e gjykatës së paanshme. Por lidhur me këtë pretendim, Gjykata Kushtetuese gjen rastin t’i japë një shpjegim dhe përgjigje të gjitha pikëpyetjeve që u ngritën nga socialistët dhe aleatët e tyre për rolin e KQZ-së në këtë proces, duke konsideruar si të paargumentuar gjithçka ngrihet për këtë rol të institucionit më të lartë të administrimit të zgjedhjeve. “Sa i takon pretendimit të kërkuesit, se parashikimi i ankimit të vendimit të KZAZ në KQZ është antikushtetues, sepse në rastet kur KZAZ nuk arrin të kryejë detyrën për nxjerrjen e rezultatit të zonës zgjedhore, ky rol merret përsipër nga vetë KQZ dhe ankimi ndaj këtij rezultati shqyrtohet po nga KQZ, kërkuesi nuk jep argumente juridike që provojnë antikushtetutshmërinë e dispozitës dhe gjithashtu nuk provon se cila ka qenë pasoja negative e ardhur për të”, - thuhet në vendimin e zbardhur të kolegjit të Gjykatës Kushtetuese. Me anë të këtij vendimi Gjykata i jep fund debateve se funksionet e luajtura nga KQZ për rastin e zgjedhjeve për Bashkinë e Tiranës ishte jo-ligjor. Vlen të theksohet këtu përcaktimi që bën trupa e gjyqtarëve se nuk provohet se nga një funksion tillë i KQZ-së të kenë ardhur pasoja negative për subjektet garuese.

Kolegji

Kërkesa e PMDPSH përmban dhe dy pika të tjera që kanë të bëjnë kryesisht me mënyrën e kompozimit të Kolegjit Zgjedhor dhe pamundësinë për të ankimuar vendimet e tij në një gjykatë më të lartë. Lidhur me këto pretendime, Kolegji çmon se koalicioni ku kërkuesi ka bërë pjesë, e ka ushtruar të drejtën e ankimit ndaj vendimeve të KQZ në Kolegjin Zgjedhor. Pra, “pavarësisht rezultatit të ankimit, ai ka arritur të ushtrojë të drejtën e tij të garantuar nga Kushtetuta dhe ankimi është shqyrtuar nga një gjykatë e caktuar me ligj. Thjesht mosekzistenca e më shumë shkallëve gjyqësore të ankimit nuk do të thotë se kërkuesit i cenohet e drejta e ankimit dhe se atij i ka ardhur ndonjë pasojë negative”, - thuhet në vendim, ndërsa vlerëson në të njëjtën kohë se nuk ka argumente dhe fakte që të vërtetojnë anësinë e trupës së gjyqtarëve të Kolegjit Zgjedhor. Për rrjedhojë, nisur nga argumentimi i mësipërm, Gjykata Kushtetuese ka vendosur të rrëzojë kërkesën e paditësit dhe të mos e kalojë atë për shqyrtim në seancë plenare.

Vendimi i plotë i Gjykatës Kushtetuese për KQZ dhe Kolegjin

Vendim nr.87, datë 22.07.2011

Kolegji i Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë, i përbërë nga:

Xhezair Zaganjori, Anëtar i Gjykatës Kushtetuese

Sokol Berberi, Anëtar i “ “

Altina Xhoxhaj, Anëtare e “ “

në datën 22.07.2011 mori në shqyrtim paraprak kërkesën me nr.87 Akti, që i përket:

Kërkues: Partia për Mbrojtjen e të Drejtave të Punëtorëve të Shqipërisë

Objekti: Shfuqizimi si antikushtetues i nenit 122/6; i fjalës “tetë” në nenin 146/1; i pjesës së dytë të pikës së 5 të nenit 158 “ndaj tij nuk bëhet ankim” të Kodit Zgjedhor.

Kolegji vlerëson se kërkuesi nuk legjitimohet në ngritjen e pretendimeve të mësipërme para Gjykatës Kushtetuese.

Një nga kushtet për t’iu drejtuar kësaj Gjykate për partitë politike si subjekte të parashikuara nga neni 134/2 është justifikimi i “interesit” të kërkuesi në çështje. Kolegji thekson se vetëm fakti që ai kundërshton dispozitat e KZ, pra të ligjit që rregullon zgjedhjet, nuk nënkupton detyrimisht se ai legjitimohet a priori t’i drejtohet kësaj Gjykate. Qenia e tij subjekt zgjedhor nuk do të thotë se ka legjitimet të pakufizuar. Partia politike që kërkon shfuqizimin e një akti normativ duhet të provojë interesin e drejtpërdrejt në çështje dhe të argumentojë pasojat negative të ardhura ose të pritshme (me sigurinë dhe jo me probabilitetin se do të ndodhin) që asaj i vijnë nga zbatimi i normave që kundërshton në Gjykatë.

Kolegji çmon se, koalicioni ku kërkuesi ka bërë pjesë, e ka ushtruar të drejtën e ankimit ndaj vendimeve të KQZ në Kolegjin Zgjedhor. Pra, pavarësisht rezultatit të ankimit, ai ka arritur të ushtrojë të drejtën e tij të garantuar nga Kushtetuta dhe ankimi është shqyrtuar nga një gjykatë e caktuar me ligj. Thjesht mosekzistenca e më shumë shkallëve gjyqësore të ankimit nuk do të thotë se kërkuesit i cenohet e drejta e ankimit dhe se atij i ka ardhur ndonjë pasojë negative. Për këtë qëndrim, si Gjykata Kushtetuese ashtu edhe GJEDNJ kanë praktikë të pasur lidhur me parashikimin e shkallëve të ankimit, sipas të cilës shteti nuk ka detyrim të parashikojë më shumë se një shkallë ankimi. E rëndësishme është që mjeti i ankimit të jetë gjyqësor dhe të jetë efektiv. Legjislacioni shqiptar njeh mjaft raste kur ndaj vendimit të një organi administrativ ose kuazigjyqësor ose gjyqësor parashikon vetëm një shkallë ankimi si dhe raste kur nuk mund të ketë ankim.

Gjithashtu, Kolegji vlerëson se kërkuesi nuk arrin të sjellë argumente për pasojat negative që i kanë ardhur dhe interesin e tij lidhur me pretendimin për mënyrën e caktimit të gjyqtarëve të Kolegjit Zgjedhor. Parimi i paanshmërisë së gjykatës kërkon që të jepen argumente që provojnë ose të paktën hedhin dritë mbi qëndrimin e gjyqtarëve gjatë gjykimit dhe efektin në vendimmarrje. Mënyra e caktimit të gjyqtarëve është bërë sipas Kodit Zgjedhor, por duke përzgjedhur nga numri i përgjithshëm i gjyqtarëve të apelit në rang vendi, të cilët si të tillë janë emëruar nga Presidenti i Republikës, sipas ligjit për organizimin e pushtetit gjyqësor. Pra, pavarësisht se ata janë pjesë e një gjykate ad hoc kur vendosin për çështje zgjedhore, ata janë gjyqtarë me kohë të plotë në kuptim të Kushtetutës. Procedura e caktimit të tyre si pjesë e gjykatës ad hoc nuk hyn në fushën e interesit të ngushtë të kërkuesit, por të dhënies drejtësi që garantohet nga Kushtetuta dhe organet e parashikuara shprehimisht për këtë qëllim dhe nuk mund të kundërshtohet me këtë mjet para kësaj Gjykate.

Sa i takon pretendimit të kërkuesit se parashikimi i ankimit të vendimit të KZAZ në KQZ është antikushtetues, sepse në rastet kur KZAZ nuk arrin të kryejë detyrën për nxjerrjen e rezultatit të zonës zgjedhore, ky rol merret përsipër nga vetë KQZ dhe ankimi ndaj këtij rezultati shqyrtohet po nga KQZ, kërkuesi nuk jep argumente juridike që provojnë antikushtetutshmërinë e dispozitës dhe gjithashtu nuk provon se cila ka qenë pasoja negative e ardhur për të.

Për sa më lart, Kolegji çmon se kërkuesi nuk legjitimohet në kërkimet e tij, pasi nuk arriti të japë argumente për të justifikuar interesin e tij në çështje.

PËR KËTO ARSYE:

Kolegji i Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë, vendosi: Moskalimin e çështjes për shqyrtim në seancë plenare.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›