Berisha në OKB dhe në bursën e New York-ut
Vizita e përvitshme që kryeministri Sali Berisha po zhvillon në New York në kuadër të hapjes së debatit të përgjithshëm të sesionit të 66-të të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, do të ketë këtë vit dhe një dimension të qartë ekonomik. Ekonomia shqiptare, reformat në fushën e menaxhimit të financave dhe ekspozimi i hapësirave për investime në vendin tonë, do të zënë një pjesë të mirë të axhendës së kreut të qeverisë shqiptare, i cili prej ditësh së djeshme ndodhet në ShBA. Në këtë kuadër, Kryeministri do të marrë pjesë në hapjen e Forumit të parë të Investimeve ShBA-Shqipëri, me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të biznesit dhe sipërmarrjes amerikane. Berisha do të bëjë një paraqitje të zhvillimit ekonomik të vendit, të reformave ekonomike, fiskale dhe administrative, në funksion të krijimit të një mjedisi gjithnjë e më tërheqës e të favorshëm për investimet e huaja dhe të potencialeve që Shqipëria ofron në të gjitha fushat, duke i ftuar sipërmarrësit amerikanë të investojnë në Shqipëri, ku do të gjejnë një mjedis miqësor dhe mbështetjen e plotë të qeverisë shqiptare. Gjatë qëndrimit në New York kryeministri Berisha do të vizitojë sërish bursën e New York-ut, NASDAQ, ku do të bëjë mbylljen e një prej sesioneve ditore të bursës, në Wall Street. Kjo ceremoni do të shoqërohet edhe me transmetimin përreth një orë në ekranin që ndodhet në sheshin e Times Square në New York të një videoje promovuese me imazhe nga Shqipëria. Kryeministri Berisha do të marrë pjesë edhe në takime e forume të ndryshme, si në lançimin e Partnershipit për Qeveri të Hapur të organizuar nga presidenti Obama, Samitin e Liderëve të Ballkanit, në hapjen e punimeve të Forumit Klinton, në forumin e OKB me sektorin privat, me përfaqësues të diasporës etj. Gjatë vizitës disaditore në New York, Kryeministri do të ketë takime me homologë të tij, personalitete botërore, të pranishëm në punimet e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara. Ai do të zhvillojë një takim me nënsekretarin e Shtetit për çështjet politike, William Burns. Një takim të veçantë, kryeministri Berisha do të ketë edhe me delegacionin e Republikës së Kosovës, të kryesuar nga presidentja Atifete Jahjaga. Kryeministri Berisha, i shoqëruar nga bashkëshortja, zonja Liri Berisha, do jetë i pranishëm në pritjen që do të japë presidenti Obama për nder të delegacioneve pjesëmarrëse në debatin e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.