Steve Jobs, Ndërron jetë babai i “Apple”
Vdes në moshën 56-vjeçare nga kanceri në pankreas, Steve Jobs, themeluesi i gjigantit “Apple”. Fëmijë i adoptuar i një çifti punëtorësh, Jobs nisi përpjekjet për kompjuterin e së ardhmes në garazhin e shtëpisë së tij
Steve Jobs, babai i iPhone, humbi betejën e tij kundër sëmundjes së kancerit dhe ndërroi jetë në moshën 56-vjeçare. Ndarjen nga jeta të Jobs e njoftoi kompania “Apple”, nëpërmjet një komunikate të shkurtër për publikun. “Me hidhërim të thellë njoftojmë se Steve Jobs ndërroi jetë ditën e sotme (të mërkurën)”,- thuhet në njoftimin e kompanisë. “Idetë brilante, energjia, pasioni dhe talenti i tij u materializuan në një sërë risish që përmirësuan jetët tona. Bota sot është më mirë falë Steve. Do të na mungojë!”. Jobs vdiq një ditë pas prezantimit të modelit të ri të iPhone, i quajtur iPhone 4S. 56-vjeçari i krahasuar shpesh me Edisonin apo Ajnshtajnin, vuante prej kohësh nga një formë e rrallë e kancerit në pankreas, sëmundje ndaj së cilës luftonte prej vitesh. Në muajin janar, Jobs dha dorëheqjen nga posti i drejtorit Ekzekutiv të “Apple”, me arsyetimin “se nuk ishte më i aftë të kryente detyrat që përcaktonte ky post”.
Jobs, njeriu me talentin e jashtëzakonshëm
Pavarësisht suksesit dhe miliardave të fituara, Steve Jobs arriti të ruante figurën e një njeriu modest e me këmbë në tokë. Stili i tij, i thjeshtë, i kombinuar me karakterin kërkues në maksimum, e bënin Jobs një njeri të vështirë, por me një talent dhe nuhatje të jashtëzakonshme për produkte të dëshirueshme nga të gjithë. Dëshmia më e mirë e këmbënguljes dhe talentit të tij është “Apple”, një prej markave më të njohura të planetit. Steven Jobs lindi në San Francisko 24 shkurtin e vitit 1955, nga një lidhje e pakurorëzuar me martesë e dy studentëve, Joanne Schieble dhe Abdulfattah Jandalit, të lindur në Siri. Prindërit e dhanë për adoptim tek një çift punëtorësh, Paul dhe Klara Jobs, të cilët e rritën si djalin e tyre në Silicon Valley, zemra e industrisë amerikane të elektronikës. Steve e braktisi kolegjin vetëm pas një semestri dhe nisi të punonte për një kompani që prodhonte video-game. Shpresat i kishte të mblidhte ca para e të nisej për një udhëtim në Indi. Dhe e realizoi. U kthye nga rrugëtimi i tij në sub-kontinent me kokën e qethur, me veshje indiane dhe një eksperiencë të hidhur mbi supe nga efektet e drogës LSD. Përgjatë gjithë pjesës tjetër të jetës, Jobs do të mbetej një budist dhe vegjetarian i bindur.
Historia e “Apple”
Historia e krijimit të kompjuterit “Apple” pat nisur përpara kësaj, në 1974, kur së bashku me mikun e tij, Steve Wozniak, nisën të punonin për kompjuterin e së ardhmes në garazhin e shtëpisë së Jobs. Apple 1 doli dy vjet më vonë dhe krijuesi i saj nuk pati nevojë as të merrte para borxh, e as ta ndante biznesin me ndonjë palë tjetër. Emri i kompanisë vjen nga fruti i tij i preferuar, molla. Fitimet nga “Apple” i parë shkuan të gjitha për përmirësimin e saj dhe hedhjen në treg të versionit “Apple 2”, që u prezantua në një panair kompjuterash në Kaliforni në 1977. Zhvillimi i makinerisë së re ishte mjaft i kushtueshëm dhe Jobs bindi Mike Markkula-n, një investitor lokal të garantonte një hua 250.000 dollarëshe, çka do ta bënte pjesë të kompanisë së re, “Apple Computer”. Modeli i ri i Apple-it ishte një sukses i vërtetë dhe shkëndija e boom-it të kompjuterëve të personalizuar, duke arritur një nivel shitjesh prej 6 milionë copësh përpara se prodhimi të mbyllej në 1993-shin. Kompania nuk kishte përpara asnjë pengesë për t`u shndërruar në koncernin e përmasave gjigante që njohim sot. Krijuesi i iPod-it, të lançuar në 2001-shin, u diagnostikua me kancer në pankreas në vitin 2003. Një vit më vonë iu nënshtrua një ndërhyrjeje kirurgjikale, por e mbajti sëmundjen të fshehtë.
Steve Jobs: Vdekja, zbulimi më i mirë i jetës
Fjalimi i Jobs para studentëve të Standford-it në vitin 2005. Rrëfen sesi prindërit e dhanë për adoptim, braktisjen e kolegjit dhe nisjen e projektit në garazhin e shtëpisë për gjigantin “Apple”
Një nga fjalimet më prekëse të Steve Jobs, i riprodhuar dje nga mediat,ka qenë ai i vitit 2005, përpara studentëve në Standford. Jobs rrëfen se si prindërit e tij kishin vendosur ta jepnin për adoptim, duke besuar se njerëzit që do e merrnin, do kishin mundësi më të mira.“Mamaja ime biologjike zbuloi më vonë se gruaja që do më adoptonte nuk kishte universitet dhe i shoqi nuk kishte mbaruar kurrë shkollën e mesme. Ajo hezitoi që të më jepte për adoptim. Por, pak muaj më vonë, kur ata e garantuan se do shkoja në shkollë të lartë, gjithçka u zgjidh. Dhe 17 vjet më vonë unë shkova në universitet. Por nga naiviteti, kisha kërkuar një kolegj, që të ishte po kaq i shtrenjtë sa Stanfordi. Të gjitha kursimet e prindërve të mi shkuan për pagesën e universitetit. Pas gjashtë muajsh, nuk po ia shihja vlerën. Nuk ia kisha idenë se ç’do të bëja me jetën time dhe nuk e dija se si mund të më ndihmonte universiteti për këtë. Ndaj vendosa të lija shkollën dhe të shkoja diku. Ishte një vendim që më futi në ankth, por ndoshta ishte një nga vendimet më të mira që kam marrë. Kam pasur fat, kam gjetur atë që doja shumë herët në jetë. Apple-n e nisëm unë dhe Woz në garazhin e prindërve të mi, kur isha 20 vjeç. Punuan shumë dhe brenda 10 vitesh, “Apple” u rrit nga një sipërmarrje me dy persona, në një kompani 2 miliardë dollarëshe me 4 mijë punonjës. Gjithçka ndodhi pa u bërë 30 vjeç. Më pas, më pushuan nga puna. Si mund të pushosh nga puna dikë që ka themeluar sipërmarrjen? Po, ja që ndodh. Me rritjen e “Apple”, ne vendosëm që të marrim dikë për të drejtuar punën, që mendonim se ishte shumë i talentuar. Por vizionet tona nisën të ndaheshin. Kur kjo ndodhi, ai kishte në dispozicion zyrën e shefit. Kështu që më flaku në rrugë. Ky vendim më ka dhënë më shumë forcë për të nisur gjithçka nga e para. Rreth një vit më parë u diagnostikova me kancer. Bëra një kontroll në mëngjes herët dhe më thanë se kisha kancer në pankreas. As nuk e dija çfarë ishte pankreasi. Mjeku më tha se ishte një formë e pashërueshme dhe kisha 3-6 muaj jetë. Jetova gjithë ditën me këtë diagnozë. Më vonë, në darkë bëra një biopsi. Gruaja më tha se mjekët nisën të qanin kur zbuluan se ishte një formë e veçantë e kancerit në pankreas, që mund të shërohej. Bëra operacionin dhe tani jam shëndosh e mirë. I kalova shumë pranë vdekjes dhe shpresoj se do ngelem kështu për disa dekada. Askush nuk do të vdesë. As ata njerëz që duan të shkojnë në parajsë. Por vdekja është fati që ndajmë të gjithë. Askush nuk ka bërë të kundërtën. Ndodh kështu ndoshta për shkak se vdekja është zbulimi më i mirë i jetës. Ajo është përfaqësuesi i jetës për ndryshim. Pastron të moshuarit dhe bën vend për më të rinjtë”.
Obama: Jobs, një ndër inovatorët më të mëdhenj
Në një mesazh në blogun e Shtëpisë së Bardhë, presidenti i Shteteve të Bashkuara, Barack Obama ka përkujtuar themeluesin e “Apple”. Presidenti dhe Steve Jobs njiheshin personalisht dhe për më tepër se në një rast, Obama kishte lavdëruar punën e tij. “Michelle dhe unë jemi shumë të trishtuar për vdekjen e Steve Jobs. Steve ishte një ndër inovatorët më të mëdhenj amerikanë, shumë kurajoz për të menduar jashtë skemave, shumë i guximshëm për të besuar tek ndryshimi i botës dhe me shumë talent për ta bërë këtë”,- thuhet ndër të tjera në mesazhin e Obama.
Berisha: Jobs solli në dorën tonë ëndrrën
Kryeministri Sali Berisha e nisi fjalën e tij në Kuvend me një mesazh ngushëllimi për vdekjen e krijuesit të “Apple”, Steve Jobs. Kreu i qeverisë tha se i gjithë njerëzimi i detyrohet shumë atij.
“Jobs ishte pararendësi gjenial i së ardhmes, ai solli në dorën tonë ëndrrën, ai i bëri realitet të gjitha. Na dhuroi neve tokësorëve, realitetin e internetit. Çdo njeri dhe njerëzimi në tërësi i detyrohen atij shumë”, - tha Berisha. Berisha ngushëlloi për humbjen tij, familjen, korporatën dhe gjithë SHBA-të për një “njeri legjendar”.