Kushtetuta e Kosovës nënshkruhet të hënën
Kushtetuta e Kosovës do të nënshkruhet të hënën në një ceremoni zyrtare, të organizuar nga Komisioni Kushtetues. Bëhet e ditur se në ceremoni do të marrin pjesë kryeministri Hashim Thaçi, presidenti Fatmir Sejdiu, kryeparlamentari Jakup Krasniqi, anëtarët e kryesisë e shefat e grupeve parlamentare të Kuvendit të Kosovës, kryetarët e komunave, dhe udhëheqësit e misioneve ndërkombëtare në Kosovë. Në dy ditët e para të këtij muaji, Komisioni Kushtetues i Kosovës e miratoi me konsensus të plotë tekstin final të Projektkushtetutës, ndërsa Përfaqësuesi Civil Ndërkombëtar, Piter Feith, e certifikoi atë duke vlerësuar se është në përputhje me Paketën Ahtisaari. Kushtetuta miratohet nga Kuvendi i Kosovës me së paku 2/3 e votave të deputetëve dhe kjo sipas kryeparlamentarit, pritet të ndodhë deri më 15 prill. Për Projektkushtetutën e hartuar nga Komisioni Kushtetues është zhvilluar debat publik që nga 28 janari, në fazën e parë, dhe që nga 19 shkurti, dy ditë pas shpalljes së pavarësisë, në fazën e dytë.