E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kushtëzimi i Parlamentit, si e vetmja rrugë e Ramës

30-09-2011 / Redaksionale

Shkurt hesapi, “kursi i ri” i Edi Ramës nuk është gjë tjetër veçse “kursi i vjetër” i kundërshtimit të çdo ligj të paraqitur në parlament nga qeveria Berisha. Sipas urdhrave që kish marrë nga zotëria  e tij, Kryetari i Grupit Parlamentar socialist Gramoz Ruci deklaroi dje se opozita nuk do të votojë asnjë ligj që kërkon 3/5 pa u përmbushur më parë pakti i propozuar nga kryesocialisti Edi Rama. Me një llaf kushtëzim për të marrë seriozisht gjithçka që nxjerr sutaku i Ramës, pa selektuar dhe argumentuar kundërshtimin.  Edi Rama kujton se ka gjetur levën e Arkimedit për të përmbysur qeverinë Berisha dhe për të marrë kështu Pushtetin përpara zgjedhjeve parlamentare të 2013.
Kushtëzimi i parlamentit si refuzim për të votuar ligjet me 3/5 janë e vetmja rrugë e Partisë Socialiste dhe krejt opozitës për të shtyrë suksesin e Integrimit Europian të kësaj Qeverie. E njëjta strategji u përdor për të frenuar dhe shtyrë sa më shumë liberalizimin  e vizave, por që s’mundën dot ta ndalonin mekanizmin sepse gjithçka varej prej performancës së administratës dhe plotësimit të kritereve teknikë, që ishin të mundur vetëm sepse nuk varej nga kartonët e opozitës.
Mirëpo nëse me heqjen e vizave nuk funksionoi, agjenda e Ramës po funksionon në shtyrjen e marrjes së statusit Kandidat, sepse kjo vendimmarrje parashikon një bashkëpunim politik pozitë-opozitë në plotësimin e kuadrit ligjor sipas standardeve të Nato-s, çka do të thotë ndërhyrje me reformë strukturale, që kërkojnë 3/5 e votave në Parlament. Afërmendsh këto dy vitet e fundit opozita e Ramës ishte e zënë me bojkote, protesta, greva urie dhe demonstrata të dhunshme, që kërkonin largimin e qeverisë Berisha me mjete jo demokratike, me forcën e rrugës radiale. Dhe kur kjo dështoi, Edi Rama u zbut, u s’qull deri në atë pikë saqë ndryshon 180 gradë, duke na propozuar pas një nate të gjatë vere, një paketë reformash të cilat sipas tij, janë panacea, ilaçi i zgjidhjes së të gjitha problemeve.
Mirëpo paketa me 10 cigare e markës Edvin Rama jo vetëm dëmtojnë seriozisht shëndetin, por synojnë një vakum të parlamentarizmit, dhe shuarjen politike të konceptit të maxhorancës që është përfaqësues i sovranit votues 50 plus një, si dhe privimi i çdo të drejte shumicës parlamentare për të bërë politikë, neutralizimi i pushtetit qeverisës dhe krijimin de-fakto të opozitës qeverisëse. Pushteti kushtetues i maxhorancës nuk mund të kufizohet duke përdorur të drejtën e shqiptarëve për të hyrë në Europë.
Në brendësi dhe prekur në thelb 10 kushtet më të cilat opozita i drejtohet paturp shumicës parlamentare kërkojnë për të marrë asaj sadopak qendra Pushteti (Avokat të Popullit, Guvernatorin e BSH, KLSH, TVSH, Presidentin, etj) domethënë atë ç’ka nuk e realizoi me protesta, greva urie dhe demonstrata të dhunshme, kërkon ta imponojë me një makiavelizëm cinik gjoja platformë për “Shqipërinë si e gjithë Europa”. Kreu i PS-së kërkon ca qendra pushteti në tavolinë si ndarje plaçke, prandaj ngjan më shumë me një pazar sesa një pakt politik. Sepse po t’i shohësh me një sy realist 6 prej 10 pikave të Partisë Socialiste janë me prapaskenën e marrjes së ca fronteve të reja pushteti, pra me marrjen e ca qendrave të pushteteve të pavarura, ose diktimin e drejtuesve të këtyre institucioneve nga agjenda e Ramës.
Sidoqoftë  opozita qëllimisht po sajon oferta dhe kundër-oferta për të fituar sa më shumë kohë, në mënyrë që mosmarrja e statusit-kandidat të peshojë rëndë e të papërballueshme në shpinën e qeverisë Berisha. Me këtë synim është nisur Edi Rama. Ai harron se gjykimi i opinionit publik, pra i qytetarëve të informuar, ka mekanizmat e tij për të lexuar problematikën. Dhe refuzimet e opozitës do të lexohet shumë shkurt, si pjellë e papërgjegjshmërisë të Ramës.

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›