Arvizu: Celulat antiamerikane në Shqipëri, me fonde dhe mbështetje politike

Ambasadori amerikan Aleksander Arvizu, në një intervistë të posaçme për TvKlan, ndalet tek zhvillimet politike në Shqipëri, ku thekson se celulat antiamerikane mund të mos jenë të shumta në numër, por janë të organizuara dhe politikisht të drejtuara, bile ku zbatohen edhe pagesa prej 100 eurosh për të sulmuar politikën e ambasadës së SHBA-së. Lidhur me hetimin e kabllove të Wikileaks, ai ndan ndjesinë se ndihet thjesht i neveritur
Ambasadori amerikan në Tiranë, Alexander Arvizu, i ka qëndruar idesë së ekzistencës së një celule antiamerikane në Shqipëri. Jo vetëm kaq, por idenë e tij e ka çuar edhe më tej, kur ka sqaruar si kjo celulë, vepron jo kundër apo thjesht dhe vetëm për të kritikuar atë si ambasador, por si “antiamerikanizëm në varësi të rrethanave politike”, sipas të cilit kjo celulë funksionon në formën, “kur dikush thotë ja ku i ke 100 Euro dhe kjo është ajo që duhet të thuash”.
Sipas Ambasadorit, ndërsa ky antiamerikanizëm është politik me suport ekonomik, organizatorët dhe drejtuesit e tij, “ndoshta ata mendojnë se në mënyrën e tyre ata janë duke promovuar një interes të caktuar apo një mënyrë të caktuar, por kjo më duket pak e pahijshme…”.
Komentet e tij, Ambasadori Arvizu, i bëri gjatë një interviste në emisionin “Opinion”, të Blendi Fevziut, fokusi i të cilit përqendrohej në jetën private dhe karrierën e përfaqësuesit amerikan në Shqipëri.
Gjatë kësaj interviste, Ambasadori amerikan komentoi edhe kabllogramet e Wikileaks, propozimet e PS-së, etj.
Ju diskutuat para disa ditësh në programin e Ilva Tares për një celulë antiamerikane. Ishte serioze?
Epo…
Mediat kanë shpenzuar orë të tëra mbi këtë temë…
OK, kanë qenë plot, siç themi ne. Artikulli i Z. Zheji u riprintua dhe u daunlodua në masë por përsëri, ajo që vura unë në dukje ishte se nuk ka një celulë që mendon për mënyrat se si ta kritikojë Shtetet e Bashkuara…Jo, kjo nuk është ajo që doja të thosha fare. Por u mundova të përshkruaj atë që e shoh si anti-amerikanizëm në varësi të rrethanave politike, mund të ketë, një përpjekje për të dhënë detyra të caktuara, për të dalë në publik. Dhe ka interesa biznesi, liderë politikë të cilët janë përgjegjës për këtë. Dhe kjo është e ndryshme nga një opinionist që sheh një koment që kam bërë unë dhe thotë, do ta kritikoj këtë, ose nuk jam dakord me këtë. E përsëris, kjo është e natyrshme. Po flas për diçka të natyrshme krahasuar me diçka të panatyrshme. E natyrshme është: nuk jam dakord me atë që ka thënë Arvizu dhe do ta kritikoj. Ose, përsëri, mendoj se qëndrimi i tij është i gabuar, jam dakord. Por unë po flas për diçka që është më e organizuar dhe e drejtuar.
Keni informacion për këtë?
Kam informacion për këtë. Dhe kur dikush thotë ja ku i ke 100 Euro dhe kjo është ajo që duhet të thuash. Për mua, ky është aktivitet i drejtuar, po ta krahasosh me dikë që thotë: unë nuk jam dakord me atë që ai tha.
Dhe kush e drejton këtë?
Mund të vijë nga drejtime të ndryshme, në varësi të rrethanave.
Politike apo biznesi, apo të dyja bashkë?
Mendoj se ka një sinergji të natyrshme midis të dyjave...
Për interesa vetjake? Sepse personalisht nuk mendoj se kjo është në interesin e Shqipërisë…
Përsëri, mendoj… Nëse do të më duhej të bëja hamendësime, mund të ketë grupe të ndryshme që e bëjnë këtë në momente të caktuara. Ndoshta ata mendojnë se në mënyrën e tyre, ata janë duke promovuar një interes të caktuar apo një mënyrë të caktuar, por kjo më duket pak e pahijshme. Është e pandershme. Nëse ke një problem, më telefono, telefono Ambasadën. Mund të ulemi dhe të flasim për këtë. Nuk kemi nevojë për një fushatë shpifjesh në media. Kjo nuk është mënyra në të cilën unë operoj. Nëse unë kam problem me dikë, unë shkoj dhe e kontaktoj atë drejtpërdrejt.
A e mendoni këtë sepse Shqipëria shihet si vendi më pro-amerikan në rajon, ky lloj kriticizmi mund të shihet si problematik?
Epo, e dini…
A jeni të sigurt se është e organizuar ose e drejtuar?
Nuk ka absolutisht asnjë dyshim në mendjen time. Por, paralelisht nuk dëshiroj ta nxjerr jashtë përpjesëtimit. Sërish, dhe dua të ritheksoj se i ashtuquajturi kriticizëm organik ose natyral jo vetëm që është në rregull, por është faktikisht i mirë. E kam thënë këtë përpara dhe e kam sinqerisht: ndihem jo mirë kur dëgjoj shumë gjëra të tilla, si “Amerika, shkëlqyeshëm kjo, Amerika, shkëlqyeshëm ajo”. Jo. Edhe në Ambasadë njerëzit do të thonë: “Ajo që ju keni bërë ishte e shkëlqyer”. Kjo është e këndshme. E dini, egoja ime e vlerëson këtë, por unë kam nevojë për dikë që të jetë i sinqertë me mua. Pasi e vetmja mënyrë për t’u përmirësuar është kur dëgjon kriticizëm. Ndaj, kriticizmi jo vetëm që është në rregull, por preferohet. Pjesa e drejtuar është ajo që nuk më pëlqen.
Nuk dua të flasim shumë për politikën sot pasi kjo është një intervistë e një lloji tjetër. Por, kur dëgjoni mbi politikën sot, a mendoni se të gjithë politikanët janë pro-amerikanë apo mendoni se ka nga ata që nuk e pranojnë rolin e Shteteve të Bashkuara këtu?
Mendoj se pjesa më e madhe e politikanëve… janë si e gjithë popullata. Vazhdoj të dëgjoj shifrën 96 për qind e cila duket thuajse artificialisht e lartë, por ka të ngjarë që të jetë pranë nivelit. Kështu, e dini, qoftë politikan apo shqiptar në përgjithësi, mendoj se ka një përqindje shumë të lartë të atyre që besojnë se ka një miqësi të sinqertë mes dy popujve, se disa prej idealeve dhe parimeve që Shtetet e Bashkuara përfaqësojnë kanë vlerë këtu në Shqipëri. E besoj këtë shumë, qofshin këta politikanë ose shqiptarët si të tërë.
Është komode që të zhvilloni punën tuaj këtu në Shqipëri, kur të dy partitë janë pro-amerikane…
Do të më pëlqente të kisha punën time këtu se sa atë që miqve të mi në pjesë të tjera të botës. Ka vende shumë shumë sfiduese në botë.
“Ambasadori amerikan si i zgjedhuri personal i Presidentit, përfaqëson Shtetet e Bashkuara”
“Kur dikush është këtu si Ambasador, ata përfaqësojnë Shtetet e Bashkuara. Unë mund të kem pikëpamjet e mia vetjake. Pararendësit e mi pa dyshim ka pasur pikëpamjet e tij gjithashtu, por kur ato shprehen në publik, mendoj thuajse gjithmonë privatisht gjithashtu, ato janë pikëpamjet e Ambasadorit Amerikan… I gjithë aparati i qeverisë së Shteteve të Bashkuara, por pasi që unë jam zyrtar karriere i shërbimit diplomatik, ndodhem këtu pasi Presidenti më ka zgjedhur… Për shkak se Ambasadori është përfaqësuesi personal i Presidentit, gjatë gjithë kohës, ne raportojmë në Departamentin e Shtetit, por këtu në Ambasadë kemi përfaqësues nga Pentagoni, nga Departamenti i Drejtësisë, nga Agjencia e Zhvillimit Ndërkombëtar, nga Korpusi i Paqes, ndaj këtu në Shqipëri unë nuk jam zyrtar i Departamentit të Shtetit. Jam përfaqësues personal i Presidentit. Sigurisht që jam i ndërgjegjshëm se si ndihet Departamenti i Shtetit, por unë duhet të bëjë një punë të mirë në përfaqësimin e interesave të të gjithëve. Dhe, nëse ndodh ndonjë rast kur më duhet të marr një pikëpamje që është e ndryshme nga Departamenti i Shtetit - nuk ka ndodhur ende dhe shpresoj që të mos ngjasë - më duhet të jem në gjendje ta bëj këtë. Sërish, nuk mund ta përfytyroj që kjo mund të ndodhë, dhe kjo do të ishte diçka shumë shumë e vështirë për t’u bërë. Por, nëse dikush është një zyrtar karriere ose një diplomat i caktuar politikisht, ne përfaqësojmë Presidentin këtu”.
“Kabllogramet e Wikileaks të tmerrshme, dhe të shkaktojnë një ndjesi neveritëse”
“Jam tmerrësisht i pakënaqur, jashtë mase i mërzitur. Mendoj se për cilindo në profesionin tonë kur sheh atë që ka bërë Wikileaks, vetëm dëmi i shkaktuar nga ai… është një ndjesi neveritëse… Kishte disa rregulla loje që funksionin dhe Wikileaks-i i fshiu të gjitha këto. Është thjesht një gjë e tmerrshme, e tmerrshme… Kam parë që emri im është përmendur në nja dy kontekste. Për të qenë i sinqertë, ç’është e vërteta nuk i kam kushtuar vëmendje… Është thënë se nuk është ngritur asnjë grup i posaçëm hetimor dhe mendoj se Zyra e Prokurorisë ka lëshuar një deklaratë ku është thënë se nuk është ngritur asnjë grup i posaçëm hetimor me qëllim hetimin e Wikileaks. Gjithsesi, kjo është ajo që unë kam kuptuar… E di se ka pasur shumë diskutime mbi Wikileaks. Kam qenë shumë i qartë, siç do të ishte çdo Ambasador, që ne nuk komentojmë mbi të. Ne mendojmë se ishte një padrejtësi e rëndë që i gjithë ky informacion është bërë publik. Ne nuk komentojmë, ne nuk themi nëse është e vërtetë ose jo. Ne thjesht nuk komentojmë. Por, sikurse e kam thënë më parë, e kuptoj se ka shumë informacion, se ka shumë histori. Njerëzit duhet të formojnë opinionet e tyre mbi to. Unë nuk mund t’i ndihmoj dot. Gjithë ç’mund të them është se zyrtarisht nuk kemi asnjë koment mbi të”.
“Propozimet e PS-së u përkasin hapave lidhur me funksionimin e parlamentit”
“… Ajo që mirëprita është fakti që kishte shume propozime specifike apo pika. Disa ishin shumë të thjeshta dhe elementare, disa të mëdha. Por, ato ishin propozime specifike dhe krahasuar me gjëra të tjera që kam parë nga PS, këto ishin më specifike, më konkrete se sa gjërat e tjera në të shkuarën. Ndaj, mendoj se është një zhvillim pozitiv. Nëse ndonjëra ose të gjitha ato do të adoptohen, kjo do të mbetet subjekt debate, por mendova se ishte mirë që PS i paraqiti ato… Nuk më kujtohen të gjitha ato, të jem fare i sinqertë, por mendoj se shumë prej tyre u përkasin hapave lidhur me funksionimin e parlamentit… Këto janë të gjitha tema shumë të përshtatshme, disa prej tyre janë shumë të diskutueshme, por është mirë që PS-ja prezantoi një propozim formal dhe tani i përket PD-së që të gjejë një mënyrë për t’iu përgjigjur ose që të vijë më një kundër-ofertë”.
“Një president konsensual…, nuk jam i sigurt se kjo është një gjë shumë realiste”
“E kuptoj interesin, jo vetëm i PS-së, por edhe të njerëzve në përgjithësi, për një president që mund të përfaqësojë disa pikëpamje më të gjëra. Kur sheh kushtetutën, është interesante si çdo kushtetutë. Nuk është tërësisht e qartë pasi presidenti ka pasur disa funksione të veçanta qeverisëse, si caktimi i gjykatësve dhe të ngjashme me to, shpallja e zgjedhjeve ose njoftimi i datës për zgjedhjet. Por, presidenti supozohet që të jetë gjithashtu simbol uniteti për njerëzit, dikush që qëndron mbi punët e përditshme të qeverisë. Dhe, unë e kam përmendur këtë më parë. Për mua, ajo që është ideale, është ekuilibri. Nuk dëshiron të kesh një konflikt të hapur mes zyrës së presidentit dhe zyrës së kryeministrit, por gjithashtu nuk dëshiron që të kesh një president që është një miratues i çdo gjëje që propozon kryeministri. Kjo nuk është e shëndetshme. Ky nuk është një sistem i mirë kontrolli dhe baraspeshimi. Dikush që përfaqëson një pikëpamje tjetër, por dikush që është i angazhuar që ta bëjë qeverinë të jetë më efikase në atë që po përpiqet të bëjë. Vjen te zgjedhja e atij individi. Një president konsensual - nëse mund të bëhet, padyshim, por mendoj - sa realiste është kjo në këtë mjedis? Nuk jam i sigurt se kjo është një gjë shumë realiste. Ata pa dyshim mund të flasin për këtë, në të vërtetë mendoj se ata duhet të flasin rreth kësaj, por mund të vijë te kampi qeverisës që të jetë shumë i mençur në propozimet e tij drejtuar opozitës. Ndaj, mendoj se personi që përzgjidhet është i rëndësishëm, por shumë më tepër se vetë indidivi është procesi...”