E Diel, 1 Nëntor 2026

Kushtuar atyre që vdiqën njerëz, atyre që qëndruan njerëz

Në mendjet e njerëzve ka plot emra që janë fiksuar e që s`harrohen lehtë, për faktin e thjeshtë që me punën që bënë, ndryshuan fatet e kombeve të tyre. Për mirë a për keq, patriotë a diktatorë, këtë e tregojnë veprat që lënë pas. Bustet e heronjve zënë vendet më të spikatura të qyteteve, emrat e tyre mbushin pllakatet emëruese të rrugëve, këngët trashëgohen brez pas brezi, me qëllimin e vetëm: që ato të mos harrohen e të jenë shembull për këdo, kudo, e kurdoherë.

Por realiteti i hidhur botëror e ai shqiptar nuk ka qenë përherë kështu, sepse në kohë lindën jo vetëm patriotë, por edhe diktatorë. Nuk është qëllimi i këtij shkrimi, ekspozimi i atyre ç`ka ato bënë, sepse tashmë të gjithë e dimë. Nuk besoj se ka njerëz që i merr malli për atë kohë. Veç elitës së privilegjuar e atyre pak fanatikëve që ende në datat e jubilarëve të dikurshëm, brohorasin me zëra tragjikomikë “Rroftë Enveri!”. Të jemi të ndërgjegjshëm se koha e atyre diktatorëve ka perënduar, ashtu sikurse duhet të jemi të kujdesshëm nga lindja e diktatorëve të rinj.

Ata i përmbysi vetë populli, duke ua shkulur bustet si sinonim i së keqes. Kushdo që i sheh statujat e tyre, i njehson ato me mungesën e produkteve më elementare për jetesë, me aksionet e detyruara anekënd vendit, informacionet politike, zymtësinë e ndërtesave të njëtrajtshme, me fytyrat gri të njerëzve kornizë, pa folur pastaj për dramat e luajtura me jetët njerëzore: vrasjet, internimet e persekutimet. Emrat “Spaç, Baden, Maliq, Burrel, etj., etj., janë monumente në natyrë, që vlejnë jo vetëm për ne që e jetuam atë kohë, por edhe për brezin që po rritet.

S`duhen gërricur plagët e të persekutuarve që ende nuk janë rehabilituar, por sillen dyerve të gjykatave për të rimarrë pronat e konfiskuara pa të drejtë. Në ato vite, njerëzit u kthyen në klounë, duke u zhveshur nga gjithçka njerëzore. Në këto momente më bien ndër mend fjalët me të cilat nis libri i një të mbijetuari nga burgjet komuniste:

“Atyre që vdiqën njerëz / atyre që qëndruan njerëz.../ gjatë asaj periudhe të vështirë... / në të cilën njeriu u shndërrua në kafshë pune”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›