E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kutia e Stefanit

Komisioni Europian gëzoi kosovarët me lajmin se dialogu për vizat pritet të fillojë në fund të vitit. Por, ky mekanizëm i BE’së vazhdon të jetë tmerrues kur mat progresin e Prishtinës. Në raportin, që u publikua të mërkurën në Bruksel, përmendet korrupsioni, krimi i organizuar dhe një varg të metash që janë pasojë e keqqeverisjes së vendit.

Krejt ajo që politikanët e thonë për qeverisjen e mirë gjatë një viti, shembet në muajin tetor, kur Komisioni Europian publikon vlerësimin e vet për të arriturat që kanë bërë kosovarët ose institucionet e vendit.

“Të arriturat e mëdha” që proklamohen vazhdimisht në mbledhjet e Qeverisë ose në konferenca për media përnjëherë shndërrohen “në një progres të limituar”.

Komisioneri për Zgjerim i BE’së Stefan Fule është shfaqur i shqetësuar për progresin e vogël të kosovarëve gjatë një konferencë për media në Bruksel

Pra europianët nuk hezitojnë të thonë se institucionet e Kosovës duhet të bëjnë më shumë punë në secilën fushë.

Kutet e Brukselit janë të ndryshme nga ato të Prishtinës kur vlerësohet puna që bëhet.

Por për dallim nga vitet e kaluara, kosovarët kësaj here kanë mundur të lexojnë me më shumë optimizëm dokumentet që janë publikuar zyrtarisht të mërkurën në Bruksel.

Kosova nuk ka raporte kontraktuale me Brukselin, por Komisioni Europian i ka bërë me dije vendet anëtare të BE’së se e ka ndërmend të fillojë dialogun për liberalizimin e vizave këtë vit. Siç dihet, fillimi i dialogut nuk e nënkupton me automatizëm udhëtimin pa viza në zonën e Schengenit.

Madje kjo çështje mund të marrë edhe vite. E, për Kosovën problem shtesë në këtë aspekt mund të jetë edhe mosnjohja nga pesë vendet anëtare.

“Liberalizimi i vizave për Kosovën do të kompletojë këtë proces në Ballkanin Perëndimor. Në dhjetor të vitit 2010, Këshilli ka riafirmuar këtë perspektivë nëse plotësohen të gjitha kushtet. Për të adresuar këto kushte, Kosova ka miratuar një kornizë ligjore për riatdhesim dhe ka nënshkruar marrëveshje bilaterale të riatdhesimit me 13 shtete të zonës së Schengenit. Ka miratuar plane të riintegrimit dhe ka vazhduar implementimin e tyre. Rrjedhimisht, Komisioni do të fillojë dialogun për viza deri në fund të vitit”, thuhet në rekomandimin që Komisioni Europian ka bërë për Kosovën.

Ky njoftim të mërkurën në Prishtinë është cilësuar lajm i madh. Por ato që ka evidentuar KE’ja kur është fjala për Kosovën, nuk përbëjnë ndonjë arsye për gëzim.

“Skaneri” europian ka evidentuar një mori të metash për vendin dhe ngecje të mëdha në shumë aspekte.

Numërimi i tyre ka filluar që nga procesi i parakohshëm zgjedhor në vend, krimi i organizuar, korrupsioni, interferimi i politikës në gjyqësor, prokurimi publik, administrata joefikase etj...

“Sundimi i ligjit vazhdon të jetë një çështje e brengës serioze dhe duhet t’i kushtohet vëmendje urgjente nga Qeveria, Parlamenti dhe organet gjyqësore në Kosovë”.

“Korrupsioni mbetet i pranishëm në shumë fusha dhe vazhdon të jetë problem serioz që po ashtu prek edhe qasjen e njerëzve në shërbime”, thuhet në një nga paragrafët e raportit.

Sa i përket luftës antikorrupsion, në raport jepen vetëm pak shpresa.

“Korniza ligjore për luftimin e korrupsionit është përmirësuar duke miratuar disa ligje të rëndësishme, edhe pse ende nuk është kompletuar dhe duhet të forcohet edhe më tej”.

“Kosova ka bërë pak progres në adresimin e korrupsionit, veçmas duke filluar që të merret me disa raste korruptive”.

Një faj për këtë çështje Komisioni ua ka drejtuar edhe prokurorëve dhe gjyqtarëve, edhe pse potencohet se ata janë subjekt i kërcënimeve.

“Një qasje më proaktive e prokurorëve dhe gjyqtarëve është e nevojshme për të hetuar krimin e organizuar dhe rastet e korrupsionit”.

BE’ja në pjesën e konkluzioneve për Kosovën ka bërë edhe rekomandimet se çfarë duhet të bëhet.

“Duhen përpjekje të vazhdueshme për të përshpejtuar reformat dhe për t’i implementuar efektivisht. Administrata publike dhe gjyqësori janë të dobëta. Duhet të bëhet më shumë për t’u ballafaquar me krimin e organizuar dhe korrupsionin duke përfshirë edhe fushën e prokurimit publik”.

Në raport nuk është harruar as maratona e fundit zgjedhore në vend, e cila është shoqëruar me një mal keqpërdorimesh.

“Menaxhimi i zgjedhjeve të përgjithshme është prishur nga dështimet serioze dhe vështirësitë teknike”, thuhet në raport.

Për të tejkaluar këtë, Brukseli ka dhënë edhe propozime për Prishtinën.

“Kosova duhet ta thjeshtojë sistemin zgjedhor duke ndjekur standardet ndërkombëtare dhe duke kryer hetime dhe ndjekur rastet e mashtrimeve elektorale”.

Në adresimet për Kuvendin e Kosovës përmenden një varg reformash dhe ligjesh relevante të agjendës europiane. Por edhe këtu ka një vërejtje.

“Kapaciteti i Kuvendit për të mbikëqyrur Qeverinë, mbetet i dobët. Ka brenga se rregullat procedurale të Kuvendit nuk ndiqen gjithmonë”, thekson KE’ja.

Komisioni ka përmendur edhe situatën ekonomike dhe vërejtjet ndaj Qeverisë që ajo të bashkëpunojë me FMN’në.

“Situata ekonomike është po ashtu serioze dhe Qeveria duhet të marrë hapa urgjentë që të përmirësojë situatën buxhetore në koordinim të ngushtë me Fondin Monetar Ndërkombëtar”.

Në këto publikime të BE’së mund të lexohet edhe fakti që Kosova bashkë me Bosnjë e Hercegovinën dhe Maqedoninë janë vendet me papunësinë më të madhe në Europë.

Vëmendje të veçantë KE’ja i ka kushtuar edhe lirisë së shprehjes, ku thuhet se në këtë fushë Kosova ka bërë pak progres.

“Gazetarët vazhdojnë të ballafaqohen me presion politik dhe kërcënim, diçka që cenon gazetarinë e brishtë hulumtuese”.

Aty adresohet edhe çështja e RTK’së, ku thuhet se pavarësia e këtij transmetuesi publik nuk garantohet.

Në raport, potencohet insistimi i Kosovës për agjendën europiane, ku theksohet se “Ministria e Integrimeve ka përforcuar rolin e saj si koordinatore e agjendës europiane dhe donatorëve dhe ka bërë presion për përshpejtimin e reformave”.

Brukseli ka adresuar edhe çështjen e pohimeve të Dick Martyt rreth tregtisë me organet në Kosovë, të cilat implikojnë edhe Kryeministrin Thaçi.

“Autoritetet janë duke bashkëpunuar me EULEX’in për hetimin e pohimeve që janë ngritur në rezolutën e miratuar nga Asambleja e Përgjithshme e Këshillit të Europës”.

Por KE’ja ka bërë thirrje që me EULEX’in të ketë bashkëpunim në të gjitha fushat.

“Autoritetet e Kosovës duhet të sigurojnë edhe një bashkëpunim efektiv me EULEX’in në të gjitha fushat e mandatit të tij”.

Brukseli ka adresuar edhe çështjen e dialogut Kosovë –Serbi duke thënë se ky proces është zhvilluar përgjithësisht në një frymë konstruktive deri në muajin shtator.

“Marrëveshjet e arritura deri më tani duhet të implementohen në mirëbesim.

Duhet të arrihen rezultate dhe në mënyrë prioritare duhet të implementohen çështjet e bashkëpunimit rajonal, çështjet e energjisë dhe telekomit”, ka thënë ai.

Po ashtu, është përmendur edhe ndikimi i Serbisë në pjesën veriore të Kosovës, po nuk kërkohet shpërbërja e strukturave paralele.

“Në Kosovën Veriore, struktura të mbështetura nga Serbia kanë vazhduar të jenë të pranishme derisa integrimi nuk ka shënuar progres.

Serbët në Veri kanë sfiduar mandatin e EULEX’it. Situata në Kosovën Veriore dhe çështja e kontrollit në kufi ka çuar në shpërthimin e dhunës që ka rezultuar me të plagosur dhe një të vdekur në korrik dhe shtator”.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›