Nëse e kandidon PDK, garon për president
Kryeparlamentari Jakup Krasniqi për disa muaj gjatë vitit 2010 dhe 2011 e pati ushtruar detyrën e presidentit të Kosovës, pas dorëheqjes së Fatmir Sejdiut.
Ai kishte marrë edhe vlerësime pozitive në kohën kur ushtroi detyrën e të parit të shtetit. Tani kur po ndodhin ndryshime kushtetuese sa i përket zgjedhjes së presidentit drejtpërdrejt nga qytetarët, Krasniqi nuk e ka përjashtuar mundësinë që t’i hyjë garës presidenciale nëse një gjë të tillë do ta kërkojnë organet drejtuese të Partisë Demokratike të Kosovës.
Në një prononcim për Epokën e Re, Krasniqi ka thënë se asnjëherë në jetën e tij politike nuk u ka ikur përgjegjësive dhe se nuk ka vepruar pas meritave personale.
“Njëherë duhet të presim përmbylljen e ndryshimeve kushtetuese, reformën zgjedhore, pastaj do të flasim. Në jetën time politike nuk kam luftuar për pozita personale, por përgjegjësive nuk i jam shmangur asnjëherë, edhe kur kanë pasur shkallë të lartë të përgjegjësisë e të rrezikshmërisë. Tani së paku shkalla e rrezikshmërisë është shumë më e vogël. Në të shumtën e herëve kam respektuar vendimet e organeve partiake”, ka deklaruar Kransiqi.
Kryeparlamentari ka kërkuar që Kosova edhe më tej të mbetet republikë parlamentare, në të kundërtën, sipas tij, vendi mund të rrëshqasë në ndonjë tip të diktaturës.
Më tej, Krasniqi e ka quajtur absurde faktin se Kosova është një zonë zgjedhore, me lista të hapura dhe sistem zgjedhor proporcional. Ai ka kërkuar që ky sistem të ndërrohet në mënyrë që vota e qytetarit të jetë e mbrojtur. (Telegrafi)