Kutitë e fundit me vota, fituesi në 4 mandatet ende të pavendosur
TIRANË- Orët e para të mëngjesit të sotëm kanë treguar se rezultatet e fiksuar deri tani janë tepër të brishta dhe katër mandate janë ende në lojë.
Duke u bazuar në votat e numëruara deri në orën 02:30 të mëngjesit të sotëm, demokratët shpresojnë për dy mandate të tjera në Shkodër dhe Lezhë, ndërsa socialistët për dy mandate në Berat dhe Tiranë, ku PS-ja synon që të marrë edhe një tjetër mandat, që mund të nxjerrë jashtë loje kryetarin e PR-së, Fatmir Mediu.
Shkodra ka 11 deputetë dhe deri në këto orë mandatet janë ndarë 7 me 4 për PD-në. Lezha ka 7 deputetë dhe mandatet janë ndarë 4 me 3 për PD-në. Por, në këto qarqe votimi është bllokuar prej kohësh në dy KZAZ tepër problematike, Fushë-Kuqja dhe Bushati. Në të dyja këto qendra ndodhen vota që mund të përmbysin rezultatet e deritanishme.
Në Lezhë, PD-ja synon mandatin tjetër pasi ka arritur një numër të konsiderueshëm votash. Burime nga kjo parti pohuan se duhet që të dalin me 300 vota avantazh nga kutitë që mbajnë dy mijë vota. Por problemet në pesë kuti kanë bërë që ato të nisen drejt Tiranës, që të numërohen në KQZ.
Pasi ka mbaruar numërimi i kutive në qytetin e Shkodrës, PD-ja ka marrë edhe 11 mijë vota të tjera dhe kjo duket se ka "hapur oreksin" për një mandat të tetë në këtë qark. Kjo gjë është në dorën e komunës së Bushatit, ku ndodhen rreth 20 mijë vota.
Por në këtë komunë pretendojnë që të marrin vota të dyja forcat, pasi deputeti socialist, Tom Doshi, është shprehur se aty ndodhen aq vota të majta sa rezultati mund të shkojë 6-5. Madje, PS-ja ka pohuar se do ankimojë rezultatet e çuditshme që janë gjetur në qarkun e Shkodrës, ku në disa qendra votimi PD-ja ka marrë 100% të votave, ndërsa partitë e tjera zero vota.
Në disa raste janë hasur kuti, ku PD-ja kishte 200 vota dhe PS-ja 2 vota.
Ndryshe nga PD-ja, socialistët synojnë që të marrin mandate të tjera në zonën e jugut. Berati dhe ndoshta Tirana, janë qytetet ku ata mund të marrin dy mandate që do të përmbysnin sërish situatën e krijuar këto ditë.
Në Qarkun e Beratit, PS-ja është shumë në avantazh në krahasim me PD-në dhe mandatet janë ndarë 4 PS-ja, 3 PD-ja dhe 1 LSI-ja. Por, në dy kuti janë hasur probleme dhe fillimisht është vendosur bllokimi i tyre. Pas mesnatës është vendosur që këto kuti të numërohen dhe në to ndodhen aq vota sa PS-ja të marrë edhe një tjetër mandat.
Në Tiranë situata është pothuajse e barabartë, por kjo favorizon PS-në, e cila merr një mandat shtesë, duke e shpënë rezultatin në 16 koalicioni i PS-së, 15 koalicioni i PD-së dhe 1 koalicioni i LSI-së. Mandati që mund të bjerë është ai që ka marrë momentalisht kryetari i PR-së, Fatmir Mediu. Për të arritur këtë gjë, PS-së i duhet të marrë një numër të përafërt votash me PD-në.
-------------------------------------------------------------------
Bllokohet "qeveria", të dy koalicionet 70-70
Koalicioni i PD-së kryeson me 70 mandate kundrejt 66 të PS-së, por LSI-ja ka shprehur qëllimin për bashkim mandatesh
TIRANË - Teksa kanë kaluar 55 orë nga mbyllja e kutive të votimit, shqiptarët ende nuk dinë se kush do të krijojë qeverinë e re për mandatin katërvjeçar. Partia Demokratike ka marrë e vetme 68 deputetë, por koalicioni i saj nuk kalon 70 votat.
Nga ana tjetër, koalicioni i PS-së ka mundur që të marrë vetëm 65 mandate, por një aleancë tepër e dukshme me LSI-në e vendos edhe atë në shumën e 70 deputetëve. Në këtë situatë, rebusi i zgjedhjeve është komplikuar edhe më shumë.
Procesi i numërimit të votave ka përfunduar në shumicën e qarqeve të vendit, si Vlorë, Gjirokastër, Durrës etj. Trendi i numërimit të votave tregon se mazhoranca e ardhshme, cilido krah të shpallet fitues, do të jetë shumë e brishtë. Procesi i numërimit të votave ka qenë shumë i avashtë gjatë ditës së djeshme dhe në disa raste ai është bllokuar për disa orë, si në Komunën e Bushatit, në Lushnje etj.
Tashmë janë bërë të qartë emrat e shumicës më të madhe të deputetëve për legjislaturën e ardhshme. Në qarkun e Kukësit dje është mbyllur votimi dhe rezultatet nuk kanë pësuar ndryshime. Partia Demokratike ka arritur të marrë tre deputetë dhe mandatin e katërt e ka marrë Partia Socialiste.
Gjithashtu, në Qarkun e Dibrës rezultati ka dalë katër me dy në favor të së djathtës, rezultat i cili ishte i fiksuar që para përfundimit të numërimit të të gjithë votave. Deri në fund, në Qarkun e Fierit nuk ka qenë e qartë ndarja e 16 mandateve.
"Bashkimi për Ndryshim" ka arritur të marrë nëntë të tilla, "Aleanca për Ndryshim", gjashtë dhe mandati i fundit ka shkuar për "Aleancën Socialiste për Integrim", të kryesuar nga LSI-ja. Deri në kutitë e fundit, Partia për Drejtësi dhe Integrim kishte arritur të merrte një mandat.
Në qarkun e Vlorës, "Bashkimi për Ndryshim", i kryesuar nga PS-ja ka arritur të sigurojë një fitore të pastër dhe të marrë shtatë mandate, ku gjashtë prej tyre i shkojnë PS-së dhe një PBDNJ-së. Ndërsa "Aleanca për Ndryshim" ka marrë pesë mandate, 4 PD-ja dhe 1 PDI-ja.
Qarku i Gjirokastrës ka përfunduar në favor të së majtës, e cila ka arritur të marrë tre deputetë, ndërsa e djathta dy. PBDNJ-ja nuk ka arritur të marrë një deputet në këtë qark, në të cilin banon një numër i konsiderueshëm i komuniteti grek në vend.
Durrësi ka përfunduar pa surpriza numërimin e votave, ku nga 12 mandatet që ka qarku, shtatë kanë shkuar për Partinë Demokratike, pesë për Partinë Socialiste dhe mandatin e fundit e ka marrë "Aleanca për Integrim" e kryesuar nga Lëvizja Socialiste për Integrim.
Në Qarkun e Lezhës, deri në orët e para të mëngjesit të sotëm, aleanca e kryesuar nga PD-ja ka marrë katër mandate, ndërsa PS-ja me aleatët e saj, tre të tillë. Në këtë qark, Partia Ligj dhe Drejtësi me kandidat, ish-deputetin demokrat, Preç Zogaj, ka arritur të marrë rreth 1500 vota. Një numër ky i konsiderueshëm votash, pasi i ka hequr mandatin e pestë Partisë Demokratike dhe aleatëve të saj.
Qarku i Elbasanit është fiksuar në barazim të numrit të mandateve me nga shtatë secila, megjithëse PS-ja me aleatët e saj është disa pikë përpara. Kështu, koalicioni i kryesuar nga Partia Socialiste ka 47.88% të votave, ndërsa koalicioni i PD-së ka marrë 44.91% të votave, Aleanca Socialiste për Integrim ka marrë 5.02% të votave në këtë qark.
Lufta është ashpërsuar tej mase edhe në Qarkun e Tiranës, ku PS-ja synon që të marrë një tjetër deputet, ndërsa PD-ja synon që të mbajnë balancën e kaheve në 16-16. Deri në orët e vona të mbrëmjes, PD-ja dhe PS-ja ndajnë të njëjtin numër mandatesh prej 15, një shkon për republikanët dhe një për LSI-në