E Diel, 1 Nëntor 2026

Basha: Zhvillimet në Ballkan i kalojnë kufijtë e rajonit

Ministri i Punëve të Jashtme, Lulzim Basha, ka deklaruar në Tryezën e Rrumbullakët, me temë "Orientimi i Axhendës Globale drejt vitit 2020", organizuar nga 9-10 prill në Athinë se "zhvillimet e fundit në Evropën Juglindore i kalojnë kufijtë rajonalë". Zyra e shtypit pranë MPJ-së, bënte të ditur të enjten se ministri Basha ka referuar si i ftuari kryesor në panelin me temë "Politika e Jashtme dhe Axhenda e Sigurisë për Evropën Juglindore: Stabiliteti në Ballkan dhe Çështja e Kosovës", tryezë e mbajtur në kuadër të Konferencës së 12-të vjetore të "Ekonomistit". Duke iu referuar njoftimit të zyrës së shtypit, diskutimet janë përqendruar kryesisht në anëtarësimin e vendeve të rajonit në NATO, integrimin në BE, në çështjen e Kosovës dhe bashkëpunimit rajonal, ndërkohë që në fjalën e tij, ministri Basha ka nënvizuar se momenti në të cilin ndodhet rajoni i Ballkanit është i një rëndësie të veçantë gjeostrategjike dhe gjeoekonomike për të ardhmen e tij dhe më gjerë. Ai ka theksuar se "ftesa për anëtarësimin e Shqipërisë dhe Kroacisë në NATO dhe shpallja e Kosovës si shtet i pavarur e sovran, janë zhvillimet më të rëndësishme në Evropën Juglindore, impakti i të cilave i kalon kufijtë rajonalë". Ndërsa lidhur me rëndësinë e bashkëpunimit rajonal, ministri Basha është shprehur se "ky bashkëpunim diktohet jo vetëm nga interesat e çastit apo ato të përfitimit ekonomik, por dhe nga nevoja afatgjatë e përballimit të sfidave të përbashkëta, të tilla si lufta kundër terrorizmit, kundër krimit të organizuar dhe trafiqeve të paligjshme etj".

"Në këtë kuadër, Shqipëria është e gatshme të ofrojë kontributin e saj, si një partnere serioze e luajale në përballimin e të gjitha këtyre sfidave", sipas njoftimit zyrtar. Duke u ndalur në çështjen e Kosovës, ministri Basha, është shprehur se "pa praninë e NATO-s do të ishte vështirë të imagjinohej faza aktuale e zhvillimit në rajonin tonë". "Për fat të keq, zhvillimet në terren dëshmojnë se segmente të caktuara të politikës në Beograd dhe një pjesë e serbëve të Kosovës, nuk po u qëndrojnë angazhimeve për t‘u mos u përfshirë në akte dhune dhe retorikë inflamatore. Veprimet e dhunshme të përsëritura, paraqitja e planeve për ndarje mbi baza etnike, deri te thirrjet për cenimin e tërësisë territoriale të shtetit të pavarur të Kosovës, përbëjnë një rrezik serioz për paqen, sigurinë dhe stabilitetin, jo vetëm në Kosovë, por në tërë rajonin tonë", ka cilësuar ministri Basha. Në këtë panel kanë marrë pjesë ministrja e Punëve të Jashtme të Greqisë, Dora Bakojanis, zv.kryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme të Bullgarisë, Ivailo Kalfin, ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë, Vuk Jeremiç, ministri i Punëve të Jashtme të Rumanisë, Adrian Mihai Cioroianu, dhe Kryeministri i Republikës Srpska të B-H, Milorad Dodik, sipas njoftimit të zyrës së shtypit të Ministrisë së Jashtme.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›