Kuvend- Bardhi: Po talleni me pensionistët. Balluku: Retorika boshe, referojuni fakteve

Nga foltorja e Kuvendit, kreu i grupit parlamentar demokrat, Gazment Bardhi, akuzoi qeverinë se “po tallet” me pensionistët dhe se nuk ka rritje reale të pensioneve. Sipas Bardhit, në 12 vite pensioni real është ulur me 8%, teksa shtoi se bonusi i fundvitit, sipas tij, po jepet me qëllimin për të ndikuar në votën e pensionistëve, 6 muaj para zgjedhjeve të vitit 2025.
“Do mjaftonin 50 milionë eurot që i shtoi në tunelin e Llogorasë zonja ministre që të parashikonin bonusin e fundvitit për vitin 2025, për pesëfishimin e fondeve për rritjen e pensioneve, që të mos kemi indeksimin e vitit të kaluar që i bie më pak se 3 mijë lekë të vjetra siç u tallët dhe këtë vit. Kishit mundësi për rritjen reale të pensioneve. Ju këtë e quani lëmoshë sepse paratë e qytetarëve që shkojnë për të ndihmuar qytetarët, janë lëmoshë. Filozofia juaj është që lekët e qytetarëve do të duhet të shkojnë në xhepat tuaj. Na folët për bonusin e pensionistëve, se sa shumë po mendoni ju për pensionistët 6 muaj para zgjedhjeve. Pa na thoni sa e keni parashikuar bonusin për pensionistët pasi të kenë kaluar zgjedhjet e 2025? Zero! Sepse filozofia juaj është mashtrim. Nuk mund të talleni kështu me qytetarët, nuk mund t’u thoni që po ju indeksojmë pensionet, kur në fakt në 12 vite pensioni real është ulur me 8% sepse norma e indeksimit në total arrin masën 26% ndërsa inflacioni është 36%,” u shpreh Bardhi.
Në përgjigje të tij, zëvendëskryeministrja Belinda Balluku i konsideroi akuzat si “retorika boshe”. Sipas saj, fakti që Partia Socialiste është në mandatin e saj të tretë qeverisës, tregon mbështetjen që kjo forcë politike gëzon.
Referuar kohës kur PD ka qenë në pushtet, Balluku tha se ata kishin mundësi të reformonin skemën e pensioneve, por nuk e bënë një gjë të tillë.
“Shpreh keqardhjen time për mënyrën sesi përdoret foltorja e Kuvendit. Ju e keni patur në dorë për të ndryshuar skemën e pensioneve. Skema juaj i ka lënë me gjysma pensionesh. Që të mos bëjmë retorika boshe, referojuni fakteve të vërteta. Ajo që i thotë të gjitha është vota që pensionistët i japin PS-së. Që ne i mbajmë premtimet, kjo duket nga mbështetja që kemi. Ju jeni tallur me pensionistët ndër vite dhe vazhdoni ta bëni edhe tani në opozitë dhe ky është akti më i çuditshëm politik që mund të bëjë një parti. Ju keni shitur Hotel Dajtin që të nxirrnit lekët për gjelin e detit për pensionistët. Kur dilni këtu dhe flisni, nuk mund të flisni sikur jeni një forcë e re, e keni patur 8 vite në dorë për të reformuar pensionet dhe nuk e bëtë kurrë. Shisnit hotele për të paguar bonusin. Çmimi i energjisë elektrike nuk është rritur, madje do ulet. Dikur njerëzit nuk kishin energji elektrike dhe e paguani, ndërsa sot ka energji në çdo cep të Shqipërisë dhe qytetarët paguajnë atë që konsumojnë”, tha Balluku.
/rtsh.al/