Kuvend/ 14 maji, komisioni i Ekonomisë miraton propozimin për 100 milionë lekë shtesë për partitë politike

Financimi i partive për zgjedhjet vendore të 14 majit 2023, ka qenë sot objekt debati në komisionin parlamentar të Ekonomisë dhe Financave. Shkak për këtë është bërë një kërkesë e KQZ, që i kërkonte Kuvendit rritjen e financimit, duke vënë si kufi që rritja të mos ishte më poshtë se 65 milion lekë.
KQZ, sipas ligjit, përcakton vetëm mënyrën e shpërndarjes, por jo fondin. Në zgjedhjet vendore të vitit 2019, shuma ishte 65 milion lekë, ndërsa për zgjedhjet parlamentare të vitit 2021, ishte 130 mln. KQZ, në kërkoi që shuma të mos ishte më poshtë se 65 milionë lekë.
Nisur nga kjo kërkesë e KQZ-së, deputetja socialiste, Blerina Gjylameti, propozoi që financimi të jetë 100 milion lekë, pra, 35 milionë lekë më shumë se niveli fundor që kishte përcaktuar KQZ.
Ndërsa deputeti i opozitës, Edmond Spaho, kërkoi kohë lidhur me shumën e propozuar, por kjo kërkesë nuk u pranua në komision.
Sipas deputetit të PS-së, Eduard Shalsi, komisioni duhet të përcaktojmë fondin, jo më pak se sa ka qenë në zgjedhjet e mëparshme. Sipas tij, KQZ ka kërkuar që fondi të jetë më i madh nga dyshemeja e përcaktuar.
Kodi zgjedhor, në nenin 88 pika 1, përcakton mënyrën e shpërndarjes së fondit për partitë politike. Fondi përcaktohet me vendim të kuvendit, kurse dyshemeje duhet të jetë jo më e vogël se fondi akorduar në zgjedhjet pararendëse.
Lidhur me këtë deputetja Gjylameti nënvizoi se ligji parashikon se kush është dyshemeja e shpenzimeve për partitë politike, sipas vendeve që kanë në kuvend.
“Në këto kushte, duhet të jemi ne që të marrim një vendim, si dhe të bëjmë një propozim, duke qenë që fondi që duhet t’i dedikohet paritve politike të jetë 100 mln lekë, për të mbuluar shpenzimet. Të mos jetë 130 mln lekë që ishte në zgjedhje politike, por të jetë 100 mln lekë, sepse janë zgjdhje vendore. Shpenzimet të ndahen në dy pjesë, sipas karrigeve që kanë në parlament, plus ato që janë donacionet, qoftë në pjesën financiare, që s’mund të jenë më shumë se trefish nga totali që buxheti shtetit ka sanksionuar. Propozimi im është për 100 mln lekë”- theksoi Gjylameti.
Ndërsa deputeti I opozitës, Spaho, u shpreh se përpara se të merret një vendim, është e mira që të ketë konsultime me partitë politike, pasi janë para të partive politike.
“Baza në llogaritjen e fondeve është diçka tjetër. Nuk është në linjën e analizave strikte ekonomike apo dëshirave për të përdorur këto para diku tjetër. Çështjet zgjedhore janë trajtuar me konsensus ndërmjet palëve. Sikurse është vepruar në të shkuar në ndryshimet në Kodin Zgjedhor. Duhet që partitë të bien dakord dhe për financimin nga buxheti i shtetit. Ju që po merrni këtë iniciativë s’keni vuajtur ndonjëherë për fonde. Madje keni përdorur edhe burime jo ligjore. Para krimi dhe droge. Jeni të gatshëm t’i hiqni fare këto fonde nga buxheti shtetit dhe tu thoni partive financohuni me donacione”- theksoi Spaho.
Lidhur me këto deklarata të Spahos, ka reaguar deputetja e PS, Anila Denaj, duke I kërkuar të mos bëj “bilbilfryrësin”.
“Ju në fjalën tuaj ngatërroni shumë elementë. Nuk është ky vendi. Gjeni metodën dhe mënyrën për ti adresuar. Mos e ktheni ditën e bilbilave. Bilbilfryrësin bëje diku tjetër. Dyshimet që keni denoncojini.”- tha Denaj.
Në përfundim të debateve, komisioni ka miratuar propozimin e deputetes Gjylameti që për partitë politike, me kërkesë të KQZ, të shtohet fondi prej 100 milionë lekësh.
/rtsh.al/