Tritol makinës së kreut demokrat të Vaut të Dejës, Berisha: Akt i rëndë i terrorizmit! Përgjegjës Rama dhe Çuçi

Ish-kryeministri Sali Berisha ka reaguar në lidhje me ngjarjen e regjistruar mëngjesin e kësaj të martë (11 prill) në Vaun e Dejës, ku makinës së kreut të Partisë Demokratike të Rithemelimit, Benard Nreca iu vu tritol. Në një deklaratë për mediat, Berisha e konsideroi atë një “akt të rëndë terrorizmi”, ndërsa ngjarjen e lidh me motive politike.
“Sot në mëngjes u krye një akt i rëndë i terrorizmit shtetëror kundër Bernard Ndrecës, kryetar i PD për Vaun e Dejës, me qëllim eliminimin e tij fizik. Bernard Ndreca është një qytetar shembullor, e tillë është familja e tij. Terroristë shtetërorë, sipas regjistrimit të kamerave, kanë vendosur tritolin në makinën e tij. Bernardi, tek nisej për në punë, pas disa metrash përballet me një eksplozion të tmerrshëm që i shkatërron pjesën e përparme të makinës. Por fatmirësisht, vetë ai shpëtoi nga ky atentat i mirëfilltë politik. Me këtë akt terrorist, Edi Rama inauguron çeljen e fushatës së tij elektorale. Ky përbën një krim të shëmtuar, përbën një akt të pashembullt në historinë e zgjedhjeve kur një drejtues kryesor i një dege të PD-së, sulmohet apo ndaj tij organizohet një atentat për likuidimin e tij”, tha Berisha.
Ai bëri përgjegjës drejtpërdrejtë kryeministrin Edi Rama dhe Ministrin e Brendshëm Bledi Çuçi.
“Dënoj këtë krim të shëmtuar. Specialistët e tritolit janë të gjithë nën kontrollin qeveritar shtetëror. Pasi dështuan me të gjitha mënyrat në Vaun e Dejës, së fundmi zgjodhën atë më ekstremen, por edhe me këtë dështuan. Duke dënuar edhe njëherë me ashpërsinë më të madhe këtë akt të narkoshtetit, bëj përgjegjës direkt Edi Ramën dhe ministrin e familjes, Çuçi, pasi policia e Vaut të Dejës dhe shefi i komisariatit sillen si një seksion i PS-së. Me sjelljet e tyre militanteske, të gjitha pistat dhe dyshimet shkojnë se ata janë dorës dhe organizatorë të këtij akti”, u shpreh Berisha.
Ngjarja ndodhi rreth orës 07:10 në fshatin Paçram, ku lënda plasëse ishte vendosur në pjesën e përparme të mjetit tip “Audi” të Nrecës, ndërsa shpërtheu sapo ai u fut në automjet. Fatmirësisht ai nuk pësoi lëndime nga shpërthimi, ndërsa ngjarja nuk është zbardhur ende.
/rtsh.al/