Shpërthimi i makinës së kreut demokrat të Vaut të Dejës, Bardhi: Zgjedhjet lokale kanë marrë një goditje të rëndë

Deputeti demokrat, Gazment Bardhi ka reaguar në lidhje me shpërthimin me tritol të makinës së kreut të Partisë Demokratike të Rithemelimit në Vaun e Dejës, Benard Nreca.
Sipas Bardhit, ngjarja ka ndodhur për motive politike, teksa e konsideron atë si “goditje të rëndë” për zgjedhjet lokale. Deputeti demokrat i bën thirrje autoriteteve që vendosin autorët para përgjegjësisë.
“Zgjedhjet lokale sot kanë marrë një goditje të rëndë. Akti i sotëm kriminal në Vaun e Dejës ndaj Bernard Ndrecës është i papranueshëm dhe thellësisht i dënueshëm. Duke u solidarizuar plotësisht me të dhe familjen e tij, apelojmë që autoritetet ligjzbatuese të zbardhin menjëherë rastin dhe të vendosin përpara përgjegjësisë autorët. Zgjedhjet duhet të jenë shkëmbim idesh e alternativash, dhe kurrsesi luftë e intimidim me metoda kriminale”, thotë Bardhi.
Ngjarja ndodhi rreth orës 07:10 të së hënës (11 prill) në fshatin Paçram, ku lënda plasëse ishte vendosur në pjesën e përparme të mjetit tip “Audi” të Nrecës, ndërsa shpërtheu sapo ai u fut në automjet. Fatmirësisht Ndreca nuk pësoi lëndime nga shpërthimi, ndërsa ngjarja nuk është zbardhur ende.
Për ngjarjen reagoi edhe ish-kryeministri Sali Berisha, i cili bëri përgjegjës drejtpërdrejtë kryeministrin Edi Rama dhe Ministrin Bledi Çuçi. Megjithatë, Ministrja Elisa Spiropali u përgjigj duke i konsideruar akuzat si përpjekje “për të rritur kapitalin politik.
/rtsh.al/