Kuvend/ Bardhi-Ballukut: Sa e keni tarifën e korrupsionit? Ministrja: Ti merr para për të mbrojtur interesa të kompanive private në “Kushtetuese”

Në replika dhe kundër replika janë përfshirë kreu i Grupit Parlamentar të PD, Gazment Bardhi dhe zv.kryeministrja, Belinda Balluku. Nga foltorja e Kuvendit, Bardhi akuzoi qeverinë për korrupsion, duke thënë se e ka çuar “taksën” për koncesionet në 40%. Ai iu drejtua Ballukut duke e pyetur “sa e keni tarifën e korrupsionit në Ministrinë tuaj?”
“E shoh që nuk po rrini rehat në karriget tuaja zonja dhe zotërinj ministra! E kuptoj që ju krijon alergji lufta kundër korrupsionit. Por psh ju mund ta ndihmoni drejtësinë drejtpërsëdrejti. Zonja zëvendskryeministre sa e keni tarifën e korrupsionit në Ministrinë tuaj? E keni biseduar me sekretarin tuaj të përgjithshëm? Me pjesën e luanit të fondeve të rrugëve dhe energjisë, ju patjetër duhet ta keni mbi 40% gjobën. Por pyesni e na thoni! Edhe ju zonja Ministre e Financave, në ministrinë tuaj duhet të jeni në një garë të fortë me Ministrinë e Shëndetësisë dhe me Ministrinë e Energjisë dhe Infrastrukturës për të zhvatur sa me shumë nga fondet publike përmes tenderave dhe procedurave korruptive. Në diskutim sot nuk vihet më a merrni 40% të vlerës së tenderit, por sa më shumë se kaq merrni! Pyeteni edhe ju Sekretarin tuaj të Përgjithshëm për normën e gjobës me tenderat në ministrinë tuaj. Nëse nuk je e kënaqur prej tij, pyet sekretarin e Përgjithshëm të paraardhësit tënd. Njerëzit e tij i lëviznin paratë e korrupsionit me thasë nga njëra shtëpi në tjetrën, derisa përfunduan në shtëpitë e sanitarëve”, tha Bardhi.
Zvkryeministrja, njëherazi edhe Ministrja e Energjisë iu përgjigj po me akuza, ndërsa tha se, sipas saj, Bardhi merr para nga kompani private për të mbrojtur interesat e tyre në Gjykatën Kushtetuese.
“Sa është tarifa juaj që merrni nga kompanitë private për të dërguar në Gjykatën Kushtetuese çështje që bien ndesh me interesat e këtyre kompanive dhe ju jeni ofruar të merrni para për të mbrojtur interesat e tyre në Kushtetuese. Çështjet që ju çoni në Kushtetuese janë çështje që kanë të bëjnë me interesin publik. E dini ju se çfarë çështjesh keni çuar”, u shpreh Balluku.
/rtsh.al/