E Diel, 1 Nëntor 2026

Kuvend, Berisha provokon sërish: Ua tregoj sa ju vlen lëkura

TIRANË- Nga foltorja e Kuvendit, kreu i qeverisë me një gjuhë më të ashpër se kurrë i ka kujtuar liderit të PS-së, Edi Rama, se nuk mundet të bëjë asgjë për të ndryshuar atë që Berisha e ka cilësuar vullnet të popullit të certifikuar edhe nga ndërkombëtarët.

Duke akuzuar Ramën për korrupsion, afera korruptive me shitjen e pronave dhe pjesë e klaneve punisto-mafioze, Berisha ka deklaruar prerë se pavarësisht protestave vullneti i lirë i shqiptarëve nuk do të ndryshojë.

"Garantoj protestën e çdo force politike, le të mblidhen para zyrës sime. Por në asnjë rast nuk do të lejoj dhunimin e ligjit. Ligji do të veprojë, vullneti i lirë i qytetarëve nuk do të mund të dhunohen as nga Edi Rama dhe klanet e tij mafioze, as nga familja biologjike e as nga familja historike e nga askurrkush. Do t'u tregojë se sa u vlen lëkura, jam Sali Berisha, mbaj fjalën time, mos të kemi fjalë"- ka thënë ai.

****

Berisha-Ramës: Bojkoti, përpjekje për të penguar integrimin e vendit

TIRANË- Kryeministri Sali Berisha ka deklaruar se bojkoti i socialistëve është një përpjekje e pandershme për të penguar integrimin e vendit dhe liberalizimin e vizave.

Duke pohuar se shqiptarët e kanë treguar vullnetin e tyre në 28 qeshor dhe ndërkombëtarët e kanë dhënë vlerësimin, me vendimin për proceset integruese, Berisha ka lënë të kuptohet se nuk do të ketë hapje të kutive.

Deklaratat u bënë inaugurimit të ujësjellësit dhe rrugës kryesore të fshatit Gjokaj, në Vorë.

"Për fat të keq, një grup në krye të Partisë Socialiste, i drejtuar nga Edi Rama, kanë zgjedhur rrugën e protestës. Kjo është një rrugë normale, por nuk mund të mos theksoj këtu se përpjekja për t'i bllokuar këto procese me qëndrimin jashtë Parlamentit; përpjekja për t'i dëshmuar Evropës se Shqipëria nuk meriton heqjen e vizave; se Shqipëria nuk meriton statusin e vendit kandidat, sepse unë jam në rrugë dhe jo në Parlament, është jashtëzakonisht e pandershme"- tha ai.

Sa për kërkesën për kutitë, sipas Berishës përgjigjen e kanë dhënë vetë qytetarët shqiptarë, të cilët votuan me dinjitetin më të madh më 28 qershor.

"Përgjigjen e more nga 27 vendet anëtare të Bashkimit Evropian, të cilat mbi bazën e vlerësimit të reformave dhe veçanërisht të zgjedhjeve të lira, i hapën dyert Shqipërisë për integrimin në Bashkimin Evropian. Përgjigjen ta dhanë 27 vendet anëtare të Bashkimit Evropian, të cilat mbi bazën e vlerësimit të përpjekjeve të ndershme dhe serioze të shqiptarëve vendosën që të procedohet me shpejtësi për heqjen e vizave për shqiptarët"- tha ai.



 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›