Fshihej me identitet të rremë, pranga të shumëkërkuarit
GJIROKASTËR- Policia e Gjirokastrës ka mundur të vërë në pranga, një person të shpallur në kërkim, i cilësuar si shtetas me rrezikshmëri të lartë kriminale. I shumëkërkuari Astrit Guçe, ka qenë pjesë e një grupi klandestinësh të kthyer një ditë më parë mbrapsht si shtetas deportivë nga policia greke nëpërmjet Stacionit të Policisë Kufitare të Kakavijës. Në momentin e kapjes, në pikën greke, 45- vjeçari kishte dhënë identitet të rremë dhe në të njëjtën mënyrë ka vepruar edhe me oficerët shqiptarë të Kakavijës. Por, të dhënat e pretenduara prej tij kanë rezultuar të pasakta gjatë procesit të verifikimit
"Pas verifikimeve të shumta dhe punës profesionale të bërë nga specialistët për Hetimin e Krimit në Drejtorinë Rajonale për Kufirin dhe Migracionin Gjirokastër u arrit identifikimi i saktë i këtij shtetasi", thuhet në komunikatën zyrtare të Drejtorisë së Policisë së Qarkut Gjirokastër.
Më tej, nën masa të rrepta sigurie 45- vjeçari është transportuar për në mjediset e policisë ku është bërë ndalimi i tij nga ana e specialistëve të kërkimit dhe më pas është transportuar në burgun e sigurisë së lartë, në Bënçë të rrethit Tepelenë. Ngjarja për të cilën Astrit Guçe është dënuar me 17 vjet heqje lirie ka ndodhur në muajin janar të vitit 1995 në qytetin e Memaliajt, ku ka vrarë një bashkëqytetarin e vet.