Rrugët e fushatës, ndërtuesit: Qeveria na ka borxh 70 mln euro
TIRANË- Qeveria është borxhlije ndaj kompanive vendase që janë marrë me ndërtimin e veprave të infrastrukturës gjatë vitit 2008, 2009 dhe në periudhën e fushatës elektorale. Deklarata është bërë publike sot nga shoqata e ndërtuesve, sipas të cilës borxhi që qeveria u ka atyre është më i madh se 70 mijë euro.
"Nga ana e institucioneve shtetërore ka një detyrim kontraktual të papaguar që arrin mbi 70 milionë euro. Bëhet fjalë për tenderët e bëra në vitin 2008 dhe që kanë vazhduar punimet edhe në vitin 2009 kur u ngarkuan me ritme të larta për fushatën elektorale", - ka deklaruar sot Maksim Muci, drejtor ekzekutiv i Shoqatës së Ndërtuesve.
Sipas tij, si pasojë e detyrimeve të papaguara, shoqëritë e ndërtimit rrezikojnë falimentimin.
Ai ka theksuar se këto shoqëri po shkojnë drejt falimentimit financiar në kushtet kur shoqëritë kanë marrë kredi me interesa të larta për blerjen e materialeve, pajisjeve dhe makinerive për të përballuar volumin dhe ritmin e lartë të kërkuar për realizimin e objekteve të tenderuara.
Përballë një situate të tillë, shoqata e ndërtuesve ka kërkuar që qeveria të zgjidhë këtë problem.