Kuvend, Imami sqaron blerjen e helikopterit për personalitetet

Ministri i Mbrojtjes, Arben Imami ka sqaruar sot blerjen e helikopterit për personalitetet e larta të vendit. Ministri theksoi se nga ana e ministrisë po bëhet një kontratë e re, që lidhet me marrjen e një helikopteri në vit.
“I propozuam qeverisë që kjo kontratë të shtyhej prej 5 vitesh, duke filluar nga viti 2009 deri në vitin 2014 për të bërë pagesat në mënyrë më të arsyeshme. Kontrata ka 2-3 elementë të tjerë, që janë të lidhur me ndryshime teknike, por që nuk sjellë asnjë lloj ndryshimi. Meqenëse kontrata ka kaluar në parlament gjatë vitit të kaluar, çfarë do ndryshim i saj duhet të kalojë në parlament”, u shpreh Imami.
Po ashtu ministri informoi se kontrata për helikopterin është negociuar gjatë për të gjetur zgjidhjen më të mirë dhe pagesën më të përshtatshme. “Kemi arritur një çmim të leverdisshëm për blerjen e këtij helikopteri, që do të vijë në vitin e ardhshëm. Shqipëria do të ketë një flotë modeste të helikopterëve të saj, por që do të jetë në gjendje të përballojë nevojat e vendit”, nënvizoi ndër të tjera Imami gjatë fjalës së tij në Parlament.
Ndërkohë para dy ditësh, Komisioni i Sigurisë miratoi blerjen e një helikopteri për personalitetet. Ky miratim i hap dritë jeshile Parlamentit, për t`i dhënë “OK” përfundimtare për marrjen e mjetit luksoz të transportit ajror. Komisioni i Sigurisë ka miratuar vetëm me votat e deputetëve të mazhorancës blerejn e këtij helikopteri prej tetë vendeve dhe që ka një kosto të lirë, sipas specialistëve të Ministrisë së Mbrojtjes.