Kuvend/ Miratohen me 97 vota pro ndryshimet e projektligjit për shtetësinë

Me 97 pro, Kuvendi ka miratuar sot (21 shtator) ndryshimet e projektligjit për shtetësinë në Kuvend. Në këtë projektligj janë propozuar disa ndryshime ligjore që synojnë lehtësimin e procedurave për marrjen e pasaportës shqiptare nga të rinjtë e talentuar që jetojnë në trevat shqiptare, por jo vetëm.
Në fjalën e tij në Kuvend, Ministri i Brendshëm, Taulant Balla u shpreh se qëllimi i këtij ligji është për t’u krijuar mundësinë talenteve që kanë lindur e jetojnë jashtë Shqipërisë, të pajisen me pasaportën shqiptare edhe kur nuk kanë mbushur moshën 18 vjeç.
Kuvendi miratoi po ashtu edhe projektligjin për fondet e pensionit privat, ndërsa ndryshimet e pagave të gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese u shtynë me kërkesë të Jorida Tabakut.
/rtsh.al/