Zgjedhjet në Kukës/ Basha do ketë dy anëtarë në KZAZ dhe sekretarin

Pak ditë para zgjedhjeve për kryetar të Bashkisë Kukës, komisioni Zonal i Administrimit Zgjedhor është riformatuar, rrjedhimisht edhe komisionet e qendrave të votimit bashkë me grupet e numërimit të votave.
Ndryshimet erdhën menjëherë pas vendimit të Kolegjit Zgjedhor, sipas të cilit Partia Demokratike e Lulzim Bashës tashmë do të ketë dy anëtarë në KZAZ bashkë me sekretarin e KZAZ.
Ky vendim u reflektua menjëherë në KZAZ Kukës i cili ka rinisur procedurat për përgatitjen e infrastrukturës dhe procesin zgjedhor të 24 shtatorit.
“Është bërë zëvendësimi i nënkryetarit, duke ia dhënë Partisë Demokratike, edhe sekretarin njëkohësisht. Vijon puna për ngritjen e komisioneve të qendrave të votimit me ndryshimet që janë bërë dhe brenda orës 12 të ditës së sotme mbarojnë të gjitha KQV-të dhe GNV-të,” shpjegon Sait Doçi, kryetar i KZAZ-së në Kukës.
Kryetari i KZAZ-së Sait Doçi tha se janë drejt përfundimit të verifikimit të listave të subjekteve politike me propozimet përkatëse për anëtarët e KQV-ve dhe grupeve të numërimit, të dorëzuar nga dega e PD-së Kukës.
Paralelisht janë bërë inspektimet e nevojshme në 73 qendrat e votimit të cilat do të hapen në orën 7:00 të datës 24 shtator, orë në të cilën nis zyrtarisht procesi i votimit.
Në zgjedhjet e pjesshme vendore të 24 shtatorit për bashkinë e Kukësit janë në garë dy kandidatë, përkatësisht Albert Halilaj i PS-së dhe Emri Vata i koalicionit “Bashkë Fitojmë”.
Në këto zgjedhje janë regjistruar në listë rreth 46 mijë qytetarë të bashkisë Kukës.
Gazetar: Bujar Muçmata
/rtsh.al/