E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kuvend, PS i vë kushte PD për hyrjen në Kuvend

TIRANE-Maxhoranca dhe opozita hedhin hapin e parë drejt një marrëveshje politike për zgjidhjen e ngërçit në vend. Por e majta vendos kushtet e para për mënyrën sesi duhet të funksionojë kompromisi mes palëve.
Konferenca e kryetarëve, e thirrur nga kryetarja Jozefina Topalli është mbledhur dje për rreth 1 orë me dyer të mbyllura, ndërkohë që burime brenda mbledhjes konfirmojnë se opozita ka rënë dakord për miratimin e ligjeve që kërkojnë votat e saj, por Kodi Zgjedhor mbetet ende pa marrëveshje. Kushtet e opozitës janë bërë dje të qarta në mbledhjen e konferencës së kryetarëve nga kreu i deputetëve të PS-së, Gramoz Ruçi. Në emër të PS-së ai kërkoi që të rikthehen për diskutim në komisionet parlamentare projektligjet që kërkojnë 84 vota. Sipas tij miratimi i tyre varet nga ndryshimet që do t’u u bëhen. Ruçi deklaroi se në disa ligje duhet të merret mendimi i grupeve të interesit.
Një tjetër kusht i opozitës i bërë prezent nga z.Ruçi është se Kuvendi duhet të zhvillojë 2 seanca plenare në javë për të krijuar mundësinë e interpelancave apo dhe ngritjen e shqetësimeve të ndryshme që deputetët kanë për zonat e tyre zgjedhore. Për sa i përket Kodit zgjedhor, e majta bie dakord parimisht por z.Ruçi vuri në dukje se është herët për ta futur në programin e punimeve të Kuvendit, por në një tjetër moment. Burime brenda mbledhjes bëjnë të ditur se maxhoranca ka pranuar kërkesat e opozitës. Bashkëpunimi maxhorancë opozitë duket se pas 2 vitesh po i hap rrugën miratimit të ligjeve, që kërkojnë shumicë të cilësuar dhe që konsiderohen si kusht për proceset integruese të Shqipërisë. Konferenca e kryetarëve e thirrur nga kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli në të cilën morën pjesë kryetari i grupit socialist Gramoz Ruçi dhe ai demokrat Astrit Patozi, miratoi draftin e kalendarit tre javor të punimeve parlamentare. Drafti i cili është kaluar me konsensus të plotë mes maxhorancës dhe opozitës përfshin në fillim të sesionit të ri parlamentar shqyrtimin dhe miratimin e një sërë ligjesh, të cilët kërkojnë shumicë të cilësuar në Kuvend. Nënkryetari i parlamentit Vangjel Tavo i pranishëm në punimet e kësaj konference konfirmoi pas mbledhjes se diskutimet ishin konsensuale ndërsa parashikohen të vijohet me të njëjtin qëndrim politik.

Mësohet se ndonëse kanë rënë dakord për të diskutuar dhe kaluar në votë gjatë shtatorit plot 17 ligje, pjesa dërrmuese e të cilave me shumicë të cilësuar të mbartura në vite, opozita ka refuzuar diskutimin e reformës zgjedhore. Gjithashtu është hedhur si çështje për diskutim edhe problem i reformës zgjedhore, apo ndryshe çështja e ngritjes së komisionit për reformën zgjedhore. Është konsideruar nga opozita si një çështje që kërkon kohë dhe është herët për ta futur në programin e Kuvendit.

(V.MadaniGSH//BalaknWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›