Kuvend, PS kërkon mocion me Berishën
Tiranë-Nga foltorja e Parlamentit, nënkryetari i Grupit Parlamentar të PS-së, Erjon Braçe ka ripërsëritur kërkesën për mocion për debat të Kryeministrit Sali Berisha lidhur me çështjen Fazlliç. Ai ka akuzuar Kryetaren e Kuvendit Topalli se po shmang praninë e Berishës në Kuvend. “Unë kërkoj që ju të zbatoni rregulloren dhe të caktoni datën e mocionit”, tha Braçe gjatë seancës së sotme parlamentare. Ndërkohë Topalli i ka shpjeguar gjithë procedurën që po ndjek që nga depozitimi i kërkesës dhe ka premtuar se Berisha do të flasë për Fallziçin brenda afatit që njeh ligji.
“Jam këtu për të përsëritur kërkesën për mocion me debat lidhur me modalitetet e vendimmarrjes dhe funksionimin e shtetit dhe institucioneve në lidhje me shtetasin serbo-boshnjak Damir Fazllic”, tha Braçe. “Po kështu, Berisha të japë llogari për veprimet e qeverisë për pengimin e drejtëisë për hetimin e shtetasit Damir Fazlliç”, shtoi ai.
Ndërsa ka akuzuar hapur kryeparlamentaren Topalli se po pengon Berishën qëllimisht, të mos vijë të flasë në Parlamenet. “Sipas nenit 98 ju zonja Kryetare duhet të mblidhnit Konferencën e Kryetarëve pasi opozita ka kërkuar një mocion për debat dhe kjo duhet të bëhet jo më vonë se 30 ditë nga dita e paraqitjes së kërkesës”, tha deputeti socialist. “Sot kanë ngelur edhe 3 seanca nga përfundmi i këtij afati, por ne nuk kemi marrë asnjë lajm. Ti del mbi autoritetin e Kryeministrit. Sali Berisha është shprehur se pranonte të dëshmonte për dosjet e krimit prej asaj dite fshihet pas trëndafilit së xhaketës tënde zonja Kryetare. Por ne s’kemi hequr dorë nga mocioni për debat me Sali Berishën për çdo gjë klienteliste me një lobist serb. Ai duhet të vijë të japë shpjegime për gjithçka”. Kështu u shpreh në fjalimin e tij sot në mbrëmje në Parlament, Erjon Braçe.
Lidhur me çështjen tjetër mjaft të debatuar, zbardhja e ngjarjes tragjike në Gërdec, Braçe tha se “policia ka ndaluar për 10 orë shtetasin Andi Belliu që po ndihmon Prokurorinë në zbardhjen e ngjarjes së Gërdecit”, ndërsa pohoi se “ishte kjo polici që pengoi ndalimin e Damir Fazlliçit”. “Miku i Berishës është i legalizuar nga studioja legale e familjes kryeministrore, përfitimet po shkojnë tek fëmijët e berishës dhe tek fëmijët e fëmijëve”.
Në fund të fjalës së tij, Braçe i ka kërkuar Topallit të caktojë datën për debat me Berishën. Ndërsa kryeparlamentarja është shprehur se “kërkesa është depozituar me 8 tetor dhe brenda 3 ditëve është mbledhur Konferenca e Kryetarëve”. Sipas saj rregullorja do të respektohet deri në fund. Aktualisht kërkesa ka kaluar në qeveri dhe do të bëhet brenda 30 ditëve (nis nga data 8 tetor) mocioni me Berishën.