Kuvend/ Rama jo i pranishëm, Bardhi: Të vijë të japë llogari për ngjarjen e Krujës dhe Ahmetajn! Spiropali: Kryeministri s’flet mbi drejtësinë

Ka nisur me debate seanca e sotme (13 korrik) plenare në Kuvend, ku kreu i Grupit Parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi ka kërkuar ndërprerjen e seancës për shkak të mungesës së kryeministrit Edi Rama.
Sipas Bardhit, kreu i qeverisë duhet “të japë llogari” në lidhje me 2 ngjarje, kërkesën e SPAK për arrestimin e Arben Ahmetajt dhe ngjarjen e regjistruar në Krujë disa ditë më parë, ku anëtarë të familjes së deputetit Rrahman Rraja dhunuan 2 persona.
Sipas Bardhit, këto dy ngjarje nuk mund të kalojnë në heshtje.
“Është në nderin tuaj që sa kohë brenda 4 ditëve kanë ndodhur 2 ngjarje për të cilat kryeministri duhet të vijë dhe të japë llogari para Kuvendit, duhet të ndërprisni seancën dhe t’i kërkoni kryeministrit të vijë. Është e papranueshme që Rama fshihet pas Rahman Rrajës për rastin e Krujës dhe pas Arben Ahmetajt për inceneratorët. Është në të drejtën tonë për të kërkuar të pezullohet seanca dhe kryeministri të vijë dhe të japë llogari. Të japë llogari për licencën për guroren që shkatërroi një fshat të tërë dhe nuk mund të kalohet ajo me dorëheqjen e një deputeti. Ka një kërkesë për arrestimin e ish-zëvendësit të tij, në dosje përmend edhe zyrtarë të tjerë të SPAK. Ndaj duhet të vijë në seancë dhe të japë llogari për të dyja çështjet. Është i vetmi në republikën e Shqipërisë që nuk ka folur për të dyja çështjet”, tha Bardhi.
Ministrja Elisa Spiropali iu përgjigj duke deklaruar se kryeministri Rama nuk flet mbi drejtësinë dhe nuk e përdor atë politikisht, teksa shtoi se PS ka bërë një ndarje të politikës “që vetëm flet për drejtësi”.
“Nëse ka një çështje për të cilën nuk na kompleksoni dot është raporti jonë me drejtësinë. Por sigurisht që ju jeni mësuar me kryeministra që për drejtësinë kanë folur nuk kanë vepruar. Kryeministri Rama nuk flet mbi drejtësinë, nuk e përdor politikisht drejtësinë, nuk e përdor si armë drejtësinë, nuk bën populizma mbi drejtësinë, por lë institucionet e drejtësisë të bëjnë punën e tyre duke besuar se personat që i drejtojnë ato institucione do bëjnë drejtësi. Të gjitha garancitë ligjore edhe si Kuvend edhe si shumicë i kemi bërë. Kemi bërë një ndarje nga politika që për drejtësinë vetëm flet”, tha Spiropali.
/rtsh.al/