E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kuvend, buxheti i vitit 2012 miratohet me votat e maxhoranës

Partia Socialiste ka votuar kundër projektbuxhetit me argumentimin se qeveria nuk e merr parasysh krizën ekonomike në të cilën ndodhet vendi.

Deputetët opozitarë thanë se vendi po zhytet në borxhe, pagesa e interesave të të cilit e çon rritjen ekonomike të deklaruar nga qeveria në zero.

Gjatë prezantimit në Kuvend, Berisha tha se "modeli ynë ekonomik bëri të mundur që ekonomia shqiptare, ndryshe nga ekonomitë e tjera që njohën rënie e recesion, të ruajë rritjen e përvishtme ekonomike dhe të mbajë të paprekura parametrat e stabilitetit makroekonomik".

"Ne vendosim për buxhetin e të gjithë shqiptarëve, për kontot dhe portofolet e tyre, për vendet e punës, shërbimet ndaj tyre, vendosim për shkollat e fëmijëve të tyre, për shërbimin e mjekëve, vendosim për atë se si do t'i shpenzojnë fondet për të arritur në destinacionin e tyre të përditshëm e të përjavshëm. Pra, se çfarë do të bëhet me mundin e djersën e tyre gjatë vitit 2012, cila është perspektiva e punësimit të tyre, në fund të fundit vendosim për begatinë e mirëqënien e familjeve shqiptare", tha Berisha.

Në fjalën e tij deputeti Blendi Klosi deklaroi se stresi i shqiptarëve është pagesa e faturave të rritura dhe se festa e vërtetë e Shqipërisë do të jetë kur të mund të paguhen këto fatura.

Ndërsa ministri i Financave, Ridvan Bode, deklaroi se projektbuxheti i shtetit për vitin 2012 synon ruajtjen e stabilitetit makroekonomik, inflacionin në nivelet rreth 3 %, një borxh publik brenda kufirit prej 60 % si dhe rritje ekonomike rreth 4.3 %./Start/

                                                                                             2011-11-26 08:01
   

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›