E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kuvend, debat Topalli - Ruçi për Kodin

Mazhoranca e konsideron të mbyllur çështjen e kutive. Topalli i kërkon opozitës që të ndryshojë Kodin Zgjedhor


TIRANË - Ndërsa opozita gjendet në sheshe duke protestuar për transparencën e zgjedhjeve të shkuara parlamentare, mazhoranca vijon të provokojë duke e konsideruar atë një çështje të mbyllur.


Madje, dje kryetarja e Kuvendit, i ka hedhur "benzinë zjarrit" duke i kërkuar socialistëve që të lënë mënjanë kërkesën për hapjen e kutive dhe të nisin së bashku reformën zgjedhore, duke iu referuar pikërisht rekomandimeve që jep raporti final i OSBE-ODIHR-it.


Nuk bëhet fjalë për deklarata mediatike, por për një ftesë që kryeparlamentarja e i ka bërë kreut të grupit parlamentar socialist, Gramoz Ruçi, dje në mbledhjen e Konferencës së Kryetarëve. Një fakt i tillë bëhet i ditur nga vet Kuvendi, i cili në faqen e tij zyrtare në internet njoftonte dje se kryeparlamentarja i bëri thirrje grupeve parlamentare, që të nisin konsultimet për amendimin e Kodit Zgjedhor.


"Në këtë mbledhje, Kryetarja e Kuvendit u kërkoi Kryetarëve të Grupeve Parlamentare, të nisin sa më parë konsultimet mbi modalitetet për të bërë ndryshimet e duhura në Kodin Elektoral, bazuar në rekomandimet e raportit të OSBE-ODIHR-it", - thuhet në njoftimin zyrtar në faqen e Kuvendit.


Ruçi


Por duket se orientimi i mbledhjes së Konferencës së Kryetarëve në një drejtim të tillë nuk është pranuar nga kreu i grupit parlamentar socialist, Gramoz Ruçi, i cili mësohet të jetë shprehur se është e kotë që të hapet një debat i tillë në një kohë që opozita vijon të kërkojë me forcë të drejtën për të bërë transparencën e zgjedhjeve.


Nga burime pranë kësaj mbledhje mësohet se Ruçi i është përmbajtur logjikës, se nuk mund të ketë një reformë zgjedhore të mirëfilltë pa parë më parë se çfarë çaloi në procesin e shkuar elektoral. Faktikisht, kjo është logjika që kanë ndjekur socialistët gjatë muajve të fundit, duke e cilësuar transparencën e zgjedhjeve të 28 qershorit si një domosdoshmëri për të nxjerrë mësimet e duhura për reformën e ardhshme zgjedhore.


Por, një argument i tillë mësohet se është hedhur poshtë nga përfaqësuesit e mazhorancës, të cilët kanë këmbëngulur në të tyren se zgjedhjet e shkuara ishin më të mirat e realizuara ndonjëherë në Shqipëri dhe se baza për të kryer reformën zgjedhore është paketa e rekomandimeve të bëra nga OSBE-ODIHR në raportin e tyre përfundimtar për zgjedhjet politike në Shqipëri.


Rekomandimet


Bëhet fjalë për 31 sugjerime konkrete që arbitri i huaj që monitoroi zgjedhjet e shkuara i ka parashtruar klasës politike shqiptare në lidhje me reformën elektorale për të zhvilluar zgjedhje në përputhje të plotë me angazhimet e OSBE-së dhe standarde të tjera. Kështu, ndër rekomandimet kryesore në këtë raport përmendet se duhet rishikuar dispozita e Kodit Zgjedhor që u jep kryetarëve të partive politike të drejta të veçanta kandidimi.


Sipas rekomandimeve, duhet siguruar që zgjedhësit të dinë paraprakisht kandidatët, të cilët mund të zgjidhen si rezultat i mbështetjes së tyre, të eliminohet përfshirja e partive politike në përzgjedhjen e gjyqtarëve që shqyrtojnë ankimimet zgjedhore, të ndryshohen dispozitat në lidhje me përsëritjen e zgjedhjeve në një zonë zgjedhore, për të shprehur qartësisht dhe pa dykuptimshmëri kushtet e nevojshme për përsëritje zgjedhjesh.


OSBE-ja sugjeron se duhet menduar për përfshirjen e mekanizmave, që mund t'i japin zgjedhësve si individë të drejtën e ankimit në rast të shkeljes së të drejtave të tyre zgjedhore.


Gjithashtu, në raport theksohet se Kodi Zgjedhor mund të ndryshohet në mënyrë që dispozitat për financim publik të fushatave zgjedhore të mos i japin avantazh disproporcional dhe të padrejtë partive parlamentare.


Duke iu referuar rekomandimeve,
Kodi Zgjedhor duhet të ndryshohet me qëllim që të eliminohet çdo lloj mundësie për abuzim apo bllokim të procesit nga partitë politike.


Vëmendje gjithashtu, sipas OSBE-ODIHR-it, duhet t'i kushtohet rregullimit të sistemit aktual të përpilimit të listave të zgjedhësve për grupe të veçanta zgjedhësish, në mënyrë që këta zgjedhës të mos përballen me rrezikun e privimit të votës për shkak të mungesës së efiçencës apo keqfunksionimit të administratës së institucionit, ku ata do të ushtrojnë të drejtën e tyre për të votuar.


Autoritetet, ashtu si edhe partitë politike thuhet më tej në raport, duhet të marrin hapa vendimtare për të siguruar që mbi punonjësit e sektorit publik, aktivistët politikë apo qytetarët e tjerë të mos ushtrohet presion qoftë për të marrë pjesë në aktivitete të fushatës, qoftë për të mos u marrë me veprimtari politike, apo për të votuar në një mënyrë të caktuar.


"Vëmendje mund t'i kushtohet ndryshimit të procedurave të numërimit dhe mbledhjes së rezultateve, në mënyrë që të plotësohen afatet përkatëse të parashikuara nga Kodi Zgjedhor. Megjithatë, kjo nuk duhet të bëhet në dëm të transparencës së procesit të numërimit", - rekomandon OSBE-ja në raportin e vet.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›