Qeveria "arkivon" ligjin e SHISH

Kuvendi nuk përfshin në kalendarin tjetër tre javor draftin e shumëpërfolur të SHISH-it
Konferenca e kryetarëve e mbledhur dje më shpejtësi futi në axhendë vetëm disa marrëveshje
TIRANË - Mazhoranca "arkivon" projektligjin e Shërbimit Informativ Shtetëror. Kuvendi i Shqipërisë nuk do të miratojë të paktën brenda prillit draftin e shumë debatuar që vuri në konflikt të hapur faktorin ndërkombëtar me qeverinë. Konferenca e Kryetarëve e mbledhur me shpejtësi nga kryetarja Jozefina Topalli ka përcaktuar dje kalendarin tre javor të punimeve të Kuvendit (12-30 prill) në komisione dhe seancë plenare, por pa përfshirë në të draftin e SHISH-it.
Duket se qëndrimi kategorik thuajse i pjesës kryesore të ambasadorëve të akredituar në Tiranë, kundra disa dispozitave të këtij projektligji, ka bërë që mazhoranca të mos e fusë sërish atë në procedurë miratimi, pavarësisht se ai ka kaluar procesin e miratimit në komisionet e përhershme.
Ndërkohë, drafti i miratuar tashmë nga Komisioni i Ligjeve dhe ai i Sigurisë i është kaluar për të dhënë ekspertizën e vet misionit të Bashkimit Europian EURALIUS, i cili do të bëjë dhe vërejtjet për nenet e veçanta, për të cilat janë shprehur rezerva si nga SHISH, ashtu edhe ndërkombëtarët. Tre janë dispozitat ku dhe pritet të ndërhyhet në këtë draft dhe pikërisht neni 2, 3 dhe 9 i tij.
Në nenin 2 ku përcaktohen detyrat e SHISH-it e konkretisht në paragrafin dhjetë thuhet se shërbimi në përmbushje të detyrave të tij për bashkëpunimin dhe marrjen e informacionit për shërbimet e tjera duhet të marrë paraprakisht në parim pëlqimin e kryeministrit.
Problematik për sa i përket pavarësisë politike konsiderohet edhe neni 3 i draftit paragrafi 7, nëpërmjet të cilit përcaktohet se drejtori i SHISH-it i raporton kryeministrit në çdo kohë për çështjet që lidhen me veprimtarinë e tij.
Një tjetër pikë e këtij projekti që ka shkaktuar mosmarrëveshje mes vet këtij shërbimi dhe shumicës qeverisëse është edhe neni 9, i cili siç mësohet është vendosur në projektligj nga mazhoranca pa pëlqimin e drejtuesve të SHISH-it. Bëhet fjalë për dispozitën kalimtare, me anë të së cilës përcaktohet se brenda 60 ditëve nga hyrja në fuqi e këtyre ndryshimeve bëhet zgjedhja e drejtorit të ri të SHISH-it, i cili do të ketë një mandat 5-vjeçar.
Ndërkohë që ashtu si edhe në tre javorin e shkuar sërish Kuvendi do të investohet në diskutimin dhe miratimin e një sërë marrëveshjesh ndërkombëtare apo huaje që qeveria jonë ka lidhur me institucione ndërkombëtare.
Kështu në seancën datës 15 përveç 2 marrëveshjeve është parashikuar edhe miratimi i projektligjit për mbrojtjen e ajrit, si dhe plotësimi i vendeve të delegacioneve të parlamentit shqiptar në institucionet ndërkombëtare. Gjithashtu, në këtë seancë do të diskutohet edhe raporti vjetor i KLSH-së. Në seancën e një jave më vonë, pra atë të datës 22 prill, është përcaktuar të miratohen dy marrëveshje të tjera, si dhe raporti i Bankës së Shqipërisë.
Në këtë seancë është parashikuar të miratohet edhe projektligji mbi të drejtën e përdorimit të truallit shtetëror. Një seancë krejt formale pritet të jetë ajo e datës 29 prill, ku janë përshirë vetëm dy projektligje, nga të cilët njëra është marrëveshje, ndërsa tjetra nismë ligjore për dokumentin elektronik.